Futboll

Një tjetër skuadër shqiptare shkruan histori në Maqedoni të Veriut

Maqedonia e Veriut

Një tjetër skuadër shqiptare e futbollit ka shkruar histori në Maqedoni të Veriut. Bëhet fjalë për Voska Sport, që të mërkurën u kualifikua në finale të Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Në gjysmëfinale, Voska Sport e eliminoi skuadrën e njohur Makedonija G.P. Të mërkurën në Gjorçe Petrov, Voska pësoi me rezultatin 2:1. Kështu vendimtare ishte fitorja 2:0 në ndeshjen e parë, më 3 prill në Ohër.

Xhemil Jahiji shënoi golin për Voskën në ndeshjen e së mërkurës. Ai realizoi në minutën e 13-të për 1:0. Makedonija më pas realizoi dy gola, por që nuk i mjaftuan.

Voska Sport  është ekip nga Ohri.

Është klub i themeluar në vitin 2019. Për herë të parë po luan në elitën e Maqedonisë së Veriut dhe menjëherë mund të fitoi trofe.

Në finale Voska do të takohet me Tikveshin. Tikveshi të mërkurën eliminoi Shkupin pas penalltive.

Shkupi, Shkëndija, Struga janë prej skuadrave më të mira në Maqedoni të Veriut. Më herët me shumë peshë ishte edhe Renova. Në këtë grup elitar tani bashkohet edhe Voska. Triumfi eventual në finale të Kupës së Maqedonisë do të ishte tjetër e arritur madhore e shqiptarëve.