Futboll

Një tjetër lojtar me mbiemrin Rrahmani po shquhet në Kosovë

Robert Rrahmani

Robert Rrahmani

Amir Rrahmani është kapiten i Kosovës. Albion Rrahmani po dallohet me golat e shumtë dhe tashmë është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës.

Ndërkohë Robert Rrahmani po bën emër në Superligën e Kosovës.

23-vjeçari të dielën kishte një gol e një asistim për Gjilanin. Kontributi i tij megjithatë nuk ishte i mjaftueshëm. Gjilani pësoi 3:2 nga Suhareka në kuadër të xhiros së katërt të kampionatit të Kosovës në futboll.

Gjilani është ende në pritje të fitores së parë. Pra, nuk e ka nisur mirë edicionin. Ndryshe është situata me Rrahmanin, në aspektin individual.

Pas fazës së suksesshme përgatitore, ku u shqua me gola e asistime, 23-vjeçari është paraqitur fuqishëm edhe në ndeshje kampionale. Tashmë i ka dy gola e një asistim.

Superliga nuk është nivel i ri për Rrahmanin, futbollistin mitrovicas. Në elitë ai luajti për Trepçën ’89 e më pas për Feronikelin 74. Te skuadra nga Drenasi ishte prej më të mirëve, ndërsa po shfaqet fuqishëm edhe te Gjilani, tek e cila skuadër u transferua në verë.

Gjilani nuk ka nisur mirë, por ka pretendime të mëdha për këtë edicion. Për këtë arsye edhe Rrahmani iu bashkua kësaj skuadre.

“Jemi skuadër e re, secili këtu është prurje e re. Synimi kryesor është pjesëmarrja në Evropë, gjithashtu për të fituar edhe ndonjë kupë”, ka thënë Rrahmani në një bisedë për KOHËN.

Sulmuesi është pjesë e një familjeje sportive. Babai i tij, Sadiku, tashmë i ndjerë, ishte futbollist i dalluar në Kosovë e më pas gjyqtar e trajner i suksesshëm. Dy motrat e Robertit kanë luajtur hendboll.

Vetë Roberti në moshë të re është shquar te Trepça ’89. Pasi shkëlqeu në ekipet e grupmoshave debutoi herët në ekipin senior. Fillimisht u zhvillua mirë, por më pas karriera e tij disi stagnoi.

E gjeti sërish ritmin pas kalimit te Feronikeliu 74 dhe ngritjen po e vazhdon te Gjilani.

“Në bazë të lojtarëve, në bazë të stafit dhe në bazë të organizimit, e shoh veten që do të ngrihem një shkallë më lartë”, thotë sulmuesi fjalëpak.

Te Trepça ’89, te Feronikeli 74 dhe tani te Gjilani, Rrahmani ka shumë momente të mira në karrierë. Prej sukseseve veçon mbetjen në Superligë me Feronikelin 74. Por dukshëm më tepër suksese pret me Gjilanin.

“Momenti më i mirë në karrierë ka qenë mbijetesa me Feronikelin 74, pasi kemi luftuar shumë. Mbijetesa vitin e kaluar deri më tani ka qenë momenti më i mirë në karrierë”.

Rrahmani ka treguar pse zgjodhi Gjilanin.

“Nuk kam pasur dyshime që ta zgjedh Gjilanin. Arsyeja kryesore ka qenë organizimi i klubit dhe të gjithë e dimë se Gjilani është qytet i sportit. Tifozët, qyteti, trajneri, stafi shumë profesional dhe nuk ka pasur dyshim që ta zgjedh”, ka treguar Robert Rrahmani.

Gjilani deri më tani ka dy barazime e dy humbje. Rrahmani dhe të tjerët në skuadër nuk kanë dyshime se fitoret do të vijnë shpejt.