Futboll

Një javë pas përjashtimit nga Kosova, Muriq shkëlqen dhe merr lëvdata

Arjanet Muriq

Ipswich Towni mori pikë të vlefshme por shumë të mundimshme në udhëtim te Brightoni të shtunën, në ndeshjen e xhiros së katërt të Premier Leagues. Ballafaqimi Brighton – Ipswich u mbyll pa gola, por vetëm falë intervenimeve të portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, që janë vlerësuar shumë në Britaninë e Madhe. 

Për Ipswichin ishte pika e dytë e fituar në katër xhirot e para. Brightoni ka tetë pikë. 

“BBC” ka shkruar se portieri Muriq pati pritje fenomenale, sidomos pak pa u mbyllur pjesa e parë, kur reagoi mirë në dy raste brenda një aksioni. 

Lëvdata për shtatlartin e portës së Kosovës pas ndeshjes pati edhe trajneri Kieran McKenna. Në ndeshjen e fundit me Ipswichin në udhëtim te Manchester City, Aro Muriq bëri gabime që i kushtuan shumë skuadrës. Telashet me të u shtuan kur ai u largua më herët nga grumbullimi me Kosovën, pas humbjes së thellë 3:0 nga Rumania në Prishtinë. Muriq u largua nga grumbullimi për arsye disiplinore. Kështu është thënë në faqen zyrtare të FFK-së ditë më parë. Muriq ishte larguar bashkë me Edon Zhegrovën dhe Florent Muslijën. “Me vendim të përbashkët të përzgjedhësit Franco Foda dhe Federatës, tre futbollistët: Arijanet Muriq, Edon Zhegrova dhe Florent Muslija, janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar, për shkak të thyerjes së rregullores së ekipit kombëtar të vendosur nga përzgjedhësi dhe Federata”, kishte shkruar FFK-ja më 8 shtator. 

Por vetëm një javë më vonë, Muriq shkëlqeu me gjashtë pritje dhe nuk lejoi të mposhtej nga sulmet e shpeshta të Brightonit. 

“Mendoj se ai tregoj saktësisht atë se pse ne donim që ta kishim në klubin tonë”, ka thënë McKenna në konferencën për shtyp pas ndeshjes. 

“Pasi u inkuadruam në këtë ligë ne duhej të gjenim një portier që mund të na fitojë pikë në ditë pikërisht si kjo. Është diçka shumë e madhe sepse çdo pikë e fituar në këtë ligë është shumë e mirëseardhur”, ka thënë fillimisht trajneri i Aros tek Ipswichi. 

Më pas ai vazhdoi lëvdatat për të. 

“Aro ka treguar përgjatë karrierës së tij se mund të jetë portier i cili mund t’ua fitojë ndeshjet dhe mund të fitojë pikë për ekipin. Ai është portier fantastik dhe komandon në zonën e tij, ndryshe nga portierët e tjerë të kësaj kategorie të futbollit anglez”, është shprehur McKenna. 

25-vjeçari ka bërë goxha karrierë deri tani dhe ka ndërruar disa klube. U zhvillua si futbollist te të rinjtë e Zuerichut, ndërsa ishte edhe pjesë e Manchester Cityt. 

Karrierë ka bërë edhe te NAC Breda, Nottingham Foresti, Girona, Willem II, Adana Demirspori e Burnley. 

Me Burnleyn në edicionin e kaluar nuk arriti ta sigurojë mbijetesën në Premier League, por inkuadrimi i Ipswichit në elitë, ia dha rastin për t’u dëshmuar sërish në njërën prej ligave më të forta. 

“Është ditë e madhe për të dhe integrimin në skuadër. Ai ende është shumë i ri si portier. Ende është duke mësuar dhe duke u adaptuar në atë se çfarë ne dëshirojmë prej tij. Por mendoj se dita e sotme është hap i madh për të. Ai u tregoi të gjithëve pse e kemi sjellë në skuadër dhe çfarë është në gjendje të jap për skuadrën”, deklaroi McKenna.