Futboll

Nga Malisheva në Bundesliga 2, Abdullahu realizon ëndrrën

Mustafë Abdullahu

Ishte janari i vitit 2023, kur portieri Mustafë Abdullahu bëri lëvizje nga Kosova për në Shqipëri. I duhej t’i dëshmonte shpejt vlerat për të bërë hapin tjetër. Ia doli me sukses. Bëri tjetër lëvizje të vogël në shtator të atij viti. Kaloi nga Besa e Kavajës te skuadra e Tiranës.

Pas një viti të kaluar te Tirana, Abdullahu u huazua te Malisheva, në shtator të vitit të kaluar.

Por të hënën shtatlarti bëri një hap shumë më të madh se gjithë hapat e deritashëm. Nga Kosova kaloi te skuadra e Bundesligës 2 të Gjermanisë, Karlsruhe.

Sërish u huazua nga Tirana, kurse huazimi është i vlefshëm deri në fund të edicionit.

20-vjeçari nuk e di saktësisht se kur do ta fitojë rastin të paraqitet me klubin e ri. Por kur ta fitojë,  thotë se do të mundohet ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë.

“Nuk kam ardhur për të qëndruar shkurt. Dua të bëj karrierë gjatë në Gjermani dhe në klube tjera evropiane”, ka thënë Mustafa të martën për KOHËN.

“Para dy javësh kemi qenë në bisedime me drejtuesit e klubit gjerman. Më kanë përcjellë edhe sa kam qenë në Tiranë dhe jam i lumtur që u realizua kjo lëvizje. Ka qenë befasi, pasi nuk e kam pritur se do të ndodhë kalimi nga Superliga në Bundesliga 2. Ka qenë interesante pasi kisha një krizë, mungova shtatë javë nga lëndimi. Por më ka bërë të ndihem shumë mirë kjo lëvizje”, ka theksuar Abdullahu.

Ai të martën zhvilloi stërvitjen e parë me skuadrën gjermane.

“Më ka ecur shumë mirë. Sot ishte dita e parë te skuadra e re. Të gjithë më kanë pritur mirë. Besoj se do të përshtatem shumë shpejt”, ka theksuar ish-portieri i Feronikelit 74.

Abdullahu me Tiranën ka kontratë deri në qershor të vitit 2028.

“Sa isha në Tiranë, në gjashtëmujorëshin e dytë, kam pasur një mundësi për t’u transferuar në ekipin e dytë të Dortmundit. Nuk u arrit marrëveshja. Isha pak i mërzitur, por ndoshta kjo mund të jetë mundësi më e artë”.

Abdullahu thotë se në Gjermani ka më shumë mundësi për t’u zhvilluar individualisht.

“Kalimi në Bundesligën 2 është ëndërr e realizuar. Kur kam shkuar në Tiranë kam thënë se kam ambicie për të arritur në nivele të larta. Gjermania ka shkollë të mirë për portierë. Do të mësoj shumë për aq sa do të qëndroj. Nuk e di planin e trajnerit se kur do të ma jap rastin, por me rëndësi është që kam një trajner të mirë dhe jam në një klub ku mund të eci tutje”, thotë portieri kosovar.

Një ndeshje ku Abdullahu ka mundur të binte në sy ishte ajo e 22 marsit të vitit të kaluar. Shpresat e Kosovës kishin barazuar pa gola me Përfaqësuesen U21 të Gjermanisë, në ndeshjen që i takoi Grupit D të kualifikimeve për “Euro 2025”.

Gjermanët e rinj e dominuan atë ndeshjen sa u takon rasteve të krijuara, por nuk arritën të shënonin gol. Golin në shumë raste ua mohoi Abdullahu.

“Kanë qenë disa klube që më kanë përcjellë në atë ndeshje”, tregon ai. “Tani jam i fokusuar këtu dhe dua të punoj shumë për të qenë gati kur do ta kem rastin të debutoj”.

20-vjeçari është pjesë e Kosovës U21. Por synon shpejt paraqitjen me Kosovën A.

“Qëllimi im është të jem pjesë e rregullt e Kosovës A. Të luaj për Kosovën është ëndërr e madhe. Trajneri Foda më njeh dhe uroj të arrij aty ku e kam qëllimin”, ka thënë Abdullahu.

Ai është një prej pak portierëve që nga kampionati i Kosovës kanë kaluar në klube jashtë vendit.