Futboll

Në vikend luhet xhiroja e fundit e Serie A

Inter

Në këtë vikend në elitën e futbollit të Italisë do të luhet xhiroja e 38-të, e fundit për edicionin 2023/2024.

Por, kampionati i Italisë do të mbyllet më 2 qershor, kur Atalanta dhe Fiorentina e luajnë ndeshjen e mbetur të xhiros së 26-të.

Kjo ndeshje është shtyrë për muajin e ardhshëm pasi më 29 maj, Fiorentina luan në finale të Ligës së Konferencës kundër Olympiacosit në Athinë.

Interi është kampion i Serie A për këtë edicion, ndërsa kampanjën e mbyll në udhëtim te Verona, në ndeshjen që luhet të dielën nga ora 20:45.

Rivali i Interit, Milani, do të ketë punë në shtëpi kundër Salernitanas. Ky ballafaqim luhet të shtunën në orën 20:45.

Kupën e Italisë e fitoi Juventusi.

Gara për plasman nga pozita e tretë deri në të shtatën në Serie A përfshinë Juventusin, Bolognan, Atalantan, Romën dhe Lazion.

Interi ka 93 pikë, ndërsa Milani është i dyti me 74 pikë.

Bologna dhe Juventusi në vendin e tretë e të katërt kanë nga 68 pikë, dy më shumë se Atalanta e vendit të pestë.

Roma ka 63 pikë në vendin e gjashtë, tri më shumë se rivali lokal, Lazio. Vendin e tetë e zë Fiorentina me 57 pikë. Edhe Fiorentina është me gjasa për të avancuar në Evropë. Me triumfin në Ligën e Konferencës siguron Ligën e Evropës, ndërsa Torinos së vendit të nëntë e Napolit të vendit të dhjetë, i hap rrugën për një vend që dërgon në “Conference League”.

Pra në përgjithësi, kampionati italian ka qenë prej më të suksesshmëve në Evropë.

Vëmendja e kësaj fundjave në Itali do të jetë te ndeshjet Empoli – Roma dhe Frosinone – Udinese, që luhen të dielën nga ora 20:45.

Njëra nga to do t’u bashkohen Salernitanas dhe Sassuolos në Serie B.

Empoli është në zonën e kuqe, përkatësisht në vendin e 18-të me 33 pikë, një më pak se Udinese në vendin e 17-të dhe dy më pak se Frosinone në vendin e 16-të.