Futboll

Në Serie A takohen kampionët e dy edicioneve të fundit

Inter - Napoli

Dy ekipet e para në tabelën e Serie A, Napoli dhe Interi, që janë edhe fituesit e dy kampionateve të fundit në Itali, do të takohen në fundjavë.

Derbi Inter – Napoli e mbyll xhiron e 12-të dhe zhvillohet të dielën nga ora 20:45.

Napoli është i pari me 25 pikë, një më shumë se Interi.

Atalanta, Fiorentina e Lazio kanë nga 22 pikë, ndërsa në vendin e gjashtë, Juventusi ka 21 pikë.

Interi e ngushtoi diferencën e pikëve kur fitoi 1:0 ndaj Venezias të dielën e kaluar, në ditën kur Napoli u befasua 3:0 nga Atalanta.

Interi e ka sulmin e dytë më të mirë me 25 gola të realizuar, katër më pak se Atalanta, kurse Napoli me Amir Rrahmanin në qendër të mbrojtjes, e ka fazën defensive të dytën më të mirën në ligë.

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, kishte humbur 5:2 nga Juventusi në vitin 2009, atëbotë si drejtues i Atalantas, kurse nuk ka pësuar tre e më shumë gola asnjëherë tjetër në karrierën si trajner. Atalanta ishte skuadra e dytë që e ka arritur këtë ndaj një ekipi të drejtuar nga Conte.

Fituesja e Ligës së Evropës, Atalanta, që ka pesë fitore rresht në ligë, ballafaqohet me Udinesen e vendit të tetë, të dielën në mesditë.

Juventusi i vendit të gjashtë shpreson në fitoren e dytë rresht në Serie A për herën e parë që prej muajit gusht.

Të shtunën takohet me Torinon e vendit të dhjetë. Derbi lokal Juventus – Torino luhet nga ora 20:45.

Juventusi nga 36 derbit e fundit në Serie A ndaj Torinos e ka vetëm një humbje.

Juventusi nuk e ka shkëlqimin në rezultate por mund të mburret me ecurinë e 19 ndeshjeve pa disfatë në elitën italiane të futbollit.

Aktualisht e ka serinë më të mirë pa humbje nga gjitha skuadrat në top pesë ligat evropiane.

Humbjen e fundit në ligë, Juventusi e kishte më 30 mars nga Lazio.