Ndeshja e së enjtes mbrëma ndaj Romës, pritet të jetë historike për Bayer Leverkusenin. Në fundjavë, skuadra ku paraqitet Granit Xhaka barazoi rekordin për serinë më të gjatë pa humbje në futbollin evropian. Kampioni i ri i Gjermanisë i ka 48 ndeshje rresht pa humbje. Këtë e kishte arritur vetëm edhe Benfica në periudhën prej vitit 1963 e deri në vitin 1965. Dhe tani Leverkuseni ka rastin të shkruajë histori.
Ndeshja me Romën zhvillohet në “BayArena” prej orës 21:00 dhe është e dyta e gjysmëfinales së Ligës së Evropës. Në Romë, të enjten e kaluar, Bayer Leverkuseni kishte fituar 2:0. Skuadra gjermane llogaritet favorite për kualifikim në finale, ndërsa synim tjetër do të jetë edhe arritja e rekordit të veçantë. Sa i takon pesë ligave të mëdha, Leverkuseni e ka vendosur rekordin për serinë më të gjatë pa humbje, shumë javë më parë.
Ndeshja ndaj Romës pritet të jetë e vështirë, ndërsa në shprehje pritet të vijë mentaliteti i ekipit gjerman. E kur bëhet fjalë për mentalitet, Xhaka është i pakrahasueshëm.
Për këtë ka folur së fundi bashkëlojtari i Xhakës te Leverkuseni, Robert Andrich. Ai po ashtu luan në mesfushë dhe po shquhet këtë edicion, njëjtë si Xhaka. Andrich është prej lojtarëve më të pëlqyer nga tifozët e Levekusenit, për shkak të përkushtimit dhe angazhimit në fushë.
“Ai ka autoritet të fortë”, ka thënë Andrich për Xhakën, shkruan “20min.ch”. “Pas një kohe të shkurtër ishte e qartë që ai dëshironte që qasjen ‘ mos u dorëzo asnjëherë’, dhe ‘mos u ndal asnjëherë’ ta dërgonte në nivel krejtësisht tjetër në ekipin tonë”, ka shtuar Andrich.
Kjo qasje e Xhakës ka pasur sukses. Leverkuseni ka shënuar shumë gola të vonshëm duke mos u dorëzuar deri në fishkëllimën e fundit. Kështu shpesh edhe i ka shmangur disfatat.
“Mendoj që Graniti është shumë, shumë i rëndësishëm dhe i jep ekipit nivel të duhur të sigurisë”, ka shtuar Andrich.
Xhaka e Andirch luajnë në pozitë të njëjtë, parambrojtjes. Por Andirch ka thënë se me Xhakën janë përshtatur shumë mirë.
“Ne e dimë që në një pikë jemi konkurrentë. Por suksesi i ekipit natyrisht është prioritet. Nuk kemi pasur asnjë problem”, ka thënë Andrich.
Leverkusenin e pret edhe finalja e Kupës së Gjermanisë. Po ashtu i ka dy ndeshje në Bundesligë, ndërsa synimi tjetër i madh është të përfundohet edicioni 2023/2024 në Bundesligë pa disfatë. Asnjë skuadër nuk e ka arritur këtë deri më tani.