Të gjitha kushtet ishin që Kosova të dëshmojë se ka bërë hapin para dhe se është e gatshme për ndeshjet e ardhshme garuese. Faza përgatitore ishte e mirë dhe e gjatë. Lojtarët ushtruan të qetë dhe pa ndonjë presion. Përkrahja e tifozëve në stadium ishte e madhe, ndonëse larg nga Kosova.
Por asnjë prej këtyre nuk mjaftoi.
Kosova nuk shfaqi thuajse asgjë dhe pësoi humbje të thellë nga Norvegjia, 3:0. Mund të thuhet edhe “nga Erling Haaland”. Top-sulmuesi i Manchester Cityt i realizoi të tre golat e së mërkurës mbrëma në Olso.
Norvegjia ka më shumë emër se Kosova në futbollin ndërkombëtar. Por njëjtë si Kosova, nuk është në Evropianin në Gjermani. Pra nuk mund të konsiderohet përfaqësuese e fortë evropiane, ndonëse në përbërje ka Erling Haalandin dhe Martin Odegaardin. Në kualifikime, norvegjezët përfunduan në vendin e tretë në grup me Spanjën e Skocinë. Kosova ishte e pesta në grup me Rumaninë, Zvicrën, Izraelin, Bjellorusinë e Andorrën. Si për Kosovën ashtu edhe për Norvegjinë kualifikimet për Euro 2024 ishin të pasuksesshme.
Kjo solli ndryshimet në shtabin teknik të Kosovës. Gjermani Franco Foda erdhi në vend të sllovenit të përkohshëm Primozh Gliha.
Me Fodan në stol, Kosova në mars fitoi vetëm 1:0 ndaj përfaqësueses inferiore të Armenisë. Më pas humbi 2:0 nga Hungaria. Për dallim nga Norvegjia, Hungaria është në Euro 2024 dhe rezultati i 26 marsit në Budapest disi u pranua.
Por goditja e rëndë erdhi të mërkurën mbrëma në Oslo. Porta e Norvegjisë nuk u rrezikua thuajse asnjëherë shumë seriozisht. Kosova kishte momentet e mira. Krijoi gjysmëraste, por fitorja e Norvegjisë në të vërtetë nuk është rrezikuar asnjëherë.
Momentet e mira ishin të pakta në krahasim me momentet jo të mira. Pra, lëshimet në lojë. Vendosja në mbrojtje te goli i parë nuk ishte e duhura. Dhe Haaland, si njëri prej sulmuesve më të mirë në botë, shfrytëzoi maksimalisht rastin. Mbrojtja edhe në raste tjera nuk ka shfaqur stabilitetin e kërkuar, as në qendër e as në krah.
Mesfusha ishte thuajse joekzistente. Mesfusha vazhdimisht ka qenë reparti më problematik dhe më i varfër sa i takon konkurrencës te Kosova. Dhe kjo vazhdon edhe me Fodan, të paktën në ndeshjen ndaj Norvegjisë.
Valon Berisha, Blendi Idrizi e Lindon Emërllahu u vendosën në mesfushë në fillim të ndeshjes. Berisha la lojën herët për shkak të një lëndimi. Emërllahu i kthyer vonë nga lëndimi, kishte po ashtu telashe me norvegjezët luftarakë e të fortë fizikisht. Idrizi, që në nivel klubesh ka telashe jo të vogla, nuk është se bëri ndeshje për të mbajtur mend.
Foda bëri disa ndryshime në pjesën e dytë, por gjërat pak ndryshuan në fushë. Kishte pak topa në zonë për Vedat Muriqin. Kishte pak krosime nga krahët. Edon Zhegrova ishte i rrezikshëm në krahun e djathtë, por jo rrallë herë e teproi me mbajtje të topit dhe tentimet për driblim. Dhe kjo mundësonte kthimin dhe pozicionimin e duhur të norvegjezëve. Futja e topit mes këmbëve të një lojtari të Norvegjisë nuk është se përmirësoi shumë përshtypjen e përgjithshme, që gjithsesi ishte jo e mirë.
Në krahun e majtë rreziku thuajse nuk ka ekzistuar. Elbasan Rashani e më pas Bernard Berisha nuk shfaqën ndonjë rrezik.
Dhe rezultati dëshmon se gjërat nuk kanë funksionuar për Kosovën, përkundër pritjeve të mëdha nga selektori i ri.
Foda përfundimisht e ka kuptuar se sa shumë punë e pret dhe sa pak lojtarë të nivelit serioz ka Kosova në pozita të caktuara.
Miqësorja në Oslo ishte testi i fundit i Kosovës para fillimit të edicionit 2024/2025 të Ligës së Kombeve. Më 6 shtator është ndeshja Kosovë – Rumani. Nëse pjesëmarrja në Evropian është matës, atëherë Rumania në letër është rivale më e fortë se Norvegjia për Kosovën.
Menjëherë më 9 shtator është ndeshja Qipro – Kosovë. Në tetor janë ndeshjet me Lituaninë dhe me Qipron e në nëntor me Rumaninë e Lituaninë.
Marrë për bazë synimet e mëdha që ka Kosova, rezultatet pozitive ndaj Qipros e Lituanisë nuk bën të vijnë në dyshim. Gara duhet të jetë më Rumaninë, për pozitën e parë në grupin e Ligës C. Me paraqitje si ajo e së mërkurës në Oslo, gara nuk duket shumë premtuese.