Meriton Korenica ishte i shkurtër në përgjigje kur u pyet se a është ndeshja e edicionit ajo mes Ballkanit dhe Dritës. Përgjigje më të gjatë dha trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, por mesazhi ishte i njëjtë. Sulmuesi i Ballkanit dhe trajneri i Dritës pajtohen se ky ballafaqim mund ta vendosë titullin e kampionit të Kosovës në futboll.
“Besoj se do të jetë ndeshja e sezonit. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë kundër rivalit direkt për titull”, ka thënë Korenica për KOHËN, të premten.
Ballkani është lider në Superligë me 59 pikë. Të shtunën nga ora 15:00, Ballkani do të jetë nikoqir i derbit ndaj Dritës, që zë vendin e dytë me 57 pikë.
Ndeshja Ballkani – Drita zhvillohet në stadiumin e qytetit në Suharekë dhe i takon xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës.
Barazimi në xhiron e kaluar në Klinë ndaj Dukagjinit e ka lënë Llapin prapa në luftën për titull. Llapi, megjithatë, nuk ka humbur shpresën për ta fituar titullin e parë në histori të klubit. Ka 55 pikë në vendin e tretë. Malisheva, befasia e edicionit, zë vendin e katërt me 52 pikë. Pra, janë katër skuadra që luftojnë për plasman sa më të mirë, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të garës.
Drita e Ballkani janë edhe në garë për Kupën e Kosovës. Gjysmëfinalet e dyta të Kupës, Drita – Prishtina dhe Ballkani – Suhareka, është dashur të zhvilloheshin në mesjavë. Por, pasi dita e mërkurë u shpall ditë zie nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për vrasjen e dy grave brenda pak ditëve, ato do të zhvillohen në mesjavën tjetër.
Kështu, fokusi është kthyer në kampionat.
“Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshje edhe pse ka ende shumë pikë në lojë. Por, është momenti që të shkëputemi me pikë nga vendi i dytë”, ka theksuar Korenica, sulmuesi i krahut.
Drita të premten mbajti konferencën për shtyp, ku folën trajneri Zekirija Ramadani dhe qendërmbrojtësi Leonat Vitija.
Ndeshje shumë të vështirë pret trajneri Ramadani. Dhe gabimi i mundshëm, sipas tij, do ta largonte Dritën nga gara për titull.
“Ne e dimë se çfarë kërkojmë, e dimë se kush jemi. E dimë se sa mund të arrijmë dhe me mençuri, me disiplinë taktike, do të shfaqemi në Suharekë. Objektivi ynë është që të marrim tri pikë, siç është në çdo takim. Duhet të japim maksimumin. Nëse duam ta arrijmë objektivin, duhet të vrapojmë më tepër se kundërshtari. Duhet të bëjmë luftë sportive më tepër se kundërshtari. Nuk duhet të gabojmë për shkak se çdo rezultat negativ na mban ose na largon shumë nga lufta për titull”, ka deklaruar Ramadani.
Mbrojtësi Vitija beson në kualitetin e grupit dhe shpreson që në Gjilan të kthehet me tri pikë.
“Normalisht se na pret ndeshje mjaft e vështirë. Kemi punuar gjatë gjithë javës dhe e kemi analizuar kundërshtarin. Besojmë në kualitetin që kemi dhe formën e mirë që ka pasur ekipi. Besoj që do të kthehemi me fitore”, ka thënë Vitija.
Në tri ndeshjet e ndërsjella të këtij edicioni Drita i ka dy fitore e një Ballkani.
Të shtunën luhet edhe ndeshja direkte për shmangien e barazhit, mes Gjilanit dhe Feronikelit 74.
Ndërkohë Dukagjini pritet të ketë udhëtim të lehtë në Prizren, ku përballet me Lirinë.
Llapi shpreson në rezultat të favorshëm nga derbi dhe me fitore ndaj Fushë Kosovës, të dielën, t’i afrohet sërish kreut të tabelës.
Po të dielën Malisheva ballafaqohet me Prishtinën.
Superliga –30
E shtunë (15:00)
Ballkani – Drita
Gjilani – Feronikeli 74
Liria – Dukagjini
E diel (15:00)
Llapi – Fushë Kosova
Malisheva – Prishtina
