Ndeshja dramatike në Suharekë nuk jep fitues
Kampioni në fuqi, Ballkani, kishte epërsi 1:0 e 3:2, por në fund mori vetëm një pikë.
Ish-lojtari i Ballkanit, Armend Thaqi, shënoi dy gola për pikën e madhe të Gjilanit. Thaqi është prej ikonave të Ballkanit, ndërsa tani po luan me Gjilanin.
Në minutat shtesë, Gjilani fitoi penallti pasi arbitri rishikoi gjatë një situatë të dyshimtë në sistemin VAR. Penalltia u dha për ndërhyrje të palejuar pas një krosimi që nuk dukej shumë i rrezikshëm.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Thaqi, mori përgjegjësinë që të gjuaj nga pika e bardhë. Goditjen e tij e ndali Enea Koliçi. Prej topit të dëbuar përfitoi Senad Jaroviq. Ai goditi shtyllën, ndërsa prej shtyllës topi preku shpinën e portierit Koliçi dhe erdhi sërish te Thaqi që nga afërsia shënoi për 3:3. Kjo ndodhi në minutën e 95-të.
Jo vetëm minutat shtesë ishin dramatikë e në një masë edhe kundërthënës.
Në minutën e pestë Lindon Emërllahu kaloi në epërsi 1:0 Ballkanin. Armend Thaqi shënoi gol të bukur për 1:1 në minutën e 15-të.
Në minutën e 40-të, Edi Basha shënoi për 2:1 në të mirë të Gjilanit. Ai realizoi me goditja nga zona, pas asistimit të Jaroviqit.
Giovanni barazoi rezultatin në 2:2 në minutën e 61-të, kurse Bernard Karrica realizoi penallti në minutën e 82-të për 3:2. Penalltia u dha për lojë me dorë në zonë pas një tjetër rishikimi të gjatë të situatës në sistemin VAR.
Më pas Ballkani mbeti me një lojtar më pak në fushë. Mbrojtësi i qendrës, Elmando Gjini u përjashtua direkt për kapje për fanelle të Jaroviqit. Dhe në fund sërish ndërhyri VAR-i dhe skuadrat ndanë pikët.
Ballkani tani i ka 19 pikë në vendin e parë. Malisheva është e dyta me 18 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Gjilani është i shtati me 13 pikë.
Xhiroja e 11-të vazhdon të mërkurën me ndeshjet Dukagjini – Suhareka e Llapi – Feronikeli 74. Të enjten prej orës 13:00 janë takimet Drita – Prishtina e Ferizaj – Malisheva.
