Futboll

Napolit i lëndohet lojtari i rëndësishëm

Alessandro Buongiorno

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, nuk do ta ketë në dispozicion qendërmbrojtësin italian, Alessandro Buongiorno, për ndeshjet e mbetura në Serie A.

Napoli njoftoi të martën se Buongiorno ka një lëndim në muskujt e kofshës së djathtë.

Ai u lëndua të dielën në fitoren 2:0 të Napolit ndaj Torinos.

Buongiorno u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 64-t.

Buongiorno dhe kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, janë qendërmbrojtësit kryesorë te napolitanët.

Për 25-vjeçarin Buongiorno ky është lëndimi i katërt këtë edicion.

Ai në total i ka munguar Napolit në dhjetë ndeshje.

Buongiorno u transferua te Napoli në verën e kaluar nga Torino për 35 milionë euro.

Napoli është lider në kampionatin italian me 74 pikë. Tri pikë më pak i ka Interi në pozitën e dytë. Deri në fund kanë mbetur edhe katër xhiro.