Legjenda rumune

Mutu i bindur se Rrahmani është sulmuesi më i mirë në Rumani

Adrian Mutu & Albion Rrahmani

Legjenda rumune Adrian Mutu është shprehur i bindur se Albion Rrahmani është sulmuesi më i mirë në Rumani dhe i ka rekomanduar Rapid Bukureshtit t’i rezistojë ofertave dhe mos ta shesë.

Rrahmani 23-vjeçar ka impresionuar në sezonin e parë te Rapidi. Ka shënuar 16 gola në 20 ndeshje. Dhe ofertat për të duket se nuk mungojnë. Së fundmi është raportuar se Benfica është e gatshme të paguajë tetë milionë euro për shërbimet e tij, ndërsa interes ka edhe nga Werder Bremeni i Bundesligës.

Mutu është shumë i kënaqur me Rrahmanin dhe thotë se është “9-shi” më i mirë i kampionatit rumun.

“Mendoj se është sulmues shumë i mirë. Mendoj se është ‘9-shi’ më i mirë në kampionatin tonë. [Largimi] më pak varet nga Rrahmani, por nga planet që Rapidi ka bërë për të ardhmen. Sezonin e kaluar patën sulmues si Dugandziq, tash e kanë Rrahmanin dhe mendoj se do të ishte mirë ta mbajnë. Edhe nëse Rapidi po kalon kohë të vështirë dhe shumë njerëz prisnin që ekipi të ishte kampion ose të luftonte për titullin deri në fazën e fundit, mendoj se në përgjithësi është në objektivat e veta”, ka thënë ai, shkruan "DigiSport". 

Rapid shpenzoi këtë sezon gati shtatë milionë euro për transferimet e lojtarëve dhe Mutu është i bindur se Dan Șucu, aksioneri kryesor dhe Victor Angelescu, i cili zotëron 20 për qind të aksioneve, mund të përballojnë të mos shesin lojtarët e rëndësishëm. Madje ai i këshillon që ta forcojnë ekipin.

Pjesë e Rapidit është edhe Ermal Krasniqi e Florent Hasani.

“Nuk mendoj se tani aksionerët e Rapidit kanë nevojë për ndihmë nga pikëpamja financiare. Përkundrazi, ata mund të përballojnë ta mbajnë Rrahmanin. Dhe të sjellin lojtarë të tjerë rreth Rrahmanit që të mund ta fitojnë titullin vitin e ardhshëm. Por ka të bëjë edhe aspekti financiar. Vetëm kështu mund ta bindni një lojtar që t’i thotë ‘jo’ një kampionati si Bundesliga. Oferta nga Bundesliga sigurisht që është më e lartë se ajo që Rrahmani merr te Rapidi. Përveç famës dhe sigurisht rëndësisë që ka kampionati gjerman, për lojtarin është shumë e rëndësishme edhe pjesa financiare. Nëse do të jetë i kënaqur financiarisht, do ta lërë në pritje dëshirën për të shkuar në një kampionat më të fortë”, ka thënë ish-lojtari i kombëtares rumune.

Mutu u largua nga drejtimi i CFR Clujit para pak kohësh. Ai ishte edhe trajner i Rapidit, ku u largua pak para se të niste ky sezon. Në vend të tij u soll Cristiano Bergodi. Trajneri italian u zëvendësua nga Bogdan Lobonț, pas katër ndeshjeve në fazën plejof, në të cilën Rapidi ka katër humbje dhe shumë larg luftës për titull.