Edicionin e kaluar, Vedat Muriqi e mbylli me gol të shënuar në fitoren 2:1 në udhëtim te Getafe. Me atë fitore, Muriqi dhe Mallorca e siguruan mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Muriqi pati shtatë gola e dy asistime në 33 paraqitje me fanellën e Mallorcas në sezonin që e lamë pas. Të dielën do të ketë mision edhe më të vështirë. Mallorca e nis kampanjën e re të La Ligas me kampionin në fuqi dhe fituesin e Ligës së Kampionëve, Real Madridin. Ndaj madrilenëve, sulmuesi shtatlartë i Kosovës nuk shënoi në edicionin e kaluar, por në të kaluarën e ka përjetuar gëzimin ndaj tyre. Synon që të ketë start të furishëm të dielën nga ora 21:30, kur e pret ekipin më të suksesshëm evropian, të mbushur me plot yje në skuadër.
“Uroj që të nxjerrim diçka nga ndeshja e parë e edicionit të ri kundër Real Madridit. Do të jetë e vështirë, por është mirë kur e nis kampanjën ndaj ekipeve të mëdha, sepse fillon në freski, je 100 për qind i fokusuar dhe është momenti ku mund ta nxjerrësh versionin më të mirë si futbollist”, ka deklaruar Muriqi në një intervistë dhënë për gazetën spanjolle “Marca” të premten.
Ai ka thënë se mezi pret që të luajë ndaj yjeve të Real Madridit. I fundit që iu bashkua skuadrës së drejtuar nga Carlo Ancelotti është Kylian Mbappe.
“Unë jam i guximshëm dhe nuk më intereson se kush luan. E vërteta është se edhe bashkëlojtarët janë njësoj. Shumë prej bashkëlojtarëve kanë luajtur edhe ndaj Lionel Messit e Cristiano Ronaldos që kanë qenë në nivel shumë të lartë. Te Reali ka lojtarë cilësorë, dhe për mua është nderë që do ta ndajë të njëjtën fushë me ta. Shpresojmë që të marrim pikë nga ky ballafaqim”, është shprehur Muriqi.
Muriqi do të hyjë në sezonin e tretë të plotë te Mallorca dhe thotë se ndihet mirë te kjo skuadër. Për të është folur se mund të largohet nga La Liga spanjolle, por ka shtuar se edhe familja e tij po ndihet mirë dhe të gjithë janë të lumtur.
Mallorca në edicionin e ri do të drejtohet nga trajneri Jagoba Arrasate, që në këtë post e zëvendësoi Javier Aguirren.
Me trajnerin e ri, Muriqi 30-vjeçar thotë se është punuar shumë në fazën ofensive e defensive dhe se do të shfaqin sistem interesant të lojës.
Ai shpreson që në sezonin e ri, me trajnerin e ri dhe ndryshimet në klub, të përfundojnë në top-dhjetëshe të ligës.
“Nëse hyjmë në mesin e dhjetë skuadrave më të mira të ligës, do të ishte edicion i mirë. Mendoj se me punën që është bërë në 3-4 vjetët e fundit, mund të bëhemi prej skuadrave më të mira. Do të jetë e vështirë por do të mundohemi t’i gëzojmë tifozët”, ka thënë Muriqi.
Mallorca në edicionin e kaluar shkoi deri në finale të Kupës së Mbretit, por u mposht nga Athletic Bilbao pas ekzekutimit të penalltive, 4:2. Muriqi kishte shënuar. Pavarësisht disfatës, Muriqi ishte i kënaqur me ecurinë e skuadrës.
“Është gjë e mirë kur luan në finale. Ndoshta më e mirë se disa ndeshje të Ligës së Kampionëve. Unë isha shumë i lumtur dhe nuk do ta harrojë kurrë. Shpresoj që ta përsërisim atë sukses dhe të fitojmë. Por do të jetë e vështirë. Unë shpresoj që të mos vuajmë në ligë dhe të arrijmë sërish në finale të Kupës së Mbretit”, ka thënë sulmuesi shtatlartë i Kosovës.