Portieri i Kosovës, Arijanet Muriq, ka pësuar humbje të thellë në paraqitjen e parë me Ipswich Townin në Premier League.
Të shtunën, Manchester City e ka mposhtur me rezultat të thellë 4:1 skuadrën e Muriqit. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Etihad” dhe i takoi xhiros së dytë të Premier Leagues.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e shtatë të ndeshjes me golin që e shënoi mesfushori Sammie Szmodics.
Sulmuesi Erling Haaland i barazoi shifrat në 1:1 nga penalltia në minutën e 12-të. Goli i dytë i Cityt erdhi pas një pakujdesie të Muriqit që e mbajti topin shumë në zonën e 16-metërshit. Gabimin e tij e shfrytëzoi mesfushori belg, Kevin De Bruyne që shënoi për 2:1 në minutën e 14-të.
Haaland dy minuta më pas e realizoi golin e tretë të Cityt në ndeshje dhe të dytin personal, me asistimin e De Bruynes. Norvegjezi “hat-trickun” e kompletoi në minutën e 88-të kur realizoi për 4:1.
City me fitore është në vendin e parë në tabelë me gjashtë pikë të fituara. Ipswichi është në pozitën e parafundit pa pikë të fituara.