Lojtarë të rinj i bashkohen vazhdimisht Kosovës. Ka emra të rinj edhe për repartin e sulmit. Por Vedat Muriqi mbetet i palëkundur si lojtari më i avancuar i Kosovës.
Të dielën 30-vjeçari dëshmoi se pse përfaqësuesja është shumë e varur prej tij. Ai realizoi të tre golat e fitores 3:1 ndaj Islandës në Murcia të Spanjës. Me fitore Kosova avancoi në Ligën B të Ligës së Kombeve. Për herë të parë “Dardanët” do të garojnë në nivelin e dytë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Muriqi për herë të parë ka përfunduar një ndeshje me Kosovën me tre gola të shënuar. Ky megjithatë nuk është numri më i madh i golave që shtatlarti ka realizuar për përfaqësuesen. Katër gola i kishte shënuar ndaj San Marinos, në miqësoren e 1 qershorit të vitit 2021. Kosova e kishte fituar atë ndeshje me rezultatin 4:1. Nga dy gola i ka shënuar ndaj Irlandës së Veriut, ndaj Qipros në dy raste dhe ndaj Zvicrës.
Tani sulmuesi i Mallorcas i ka 31 gola në 60 paraqitje për Kosovën. Dhe golashënuesi më i mirë i Kosovës pritet të mbetet gjatë. I dyti në listën e realizatorëve është Milot Rashica me 12 gola. Të tjerët i kanë më pak se dhjetë: Arbër Zeneli nëntë, Amir Rrahmani shtatë, Elbasan Rashani e Edon Zhegrova nga pesë. Të tjerët kanë më pak.
Golin e parë për Kosovën Muriqi e kishte shënuar në “Adem Jashari” në Mitrovicë, më 13 nëntor 2017. Kishte shënuar në fitoren 4:3 ndaj Letonisë, në miqësore. Prej atëherë ka shënuar çdo vit, të paktën nga dy gola. Më së shumti shënoi në vitin 2021. I kishte tetë gola në 11 paraqitje.
Me formën aktuale Muriqi pritet të jetë sulmuesi kryesor i Kosovës edhe për shumë vjet. Nuk ka dyshime që do ta udhëheqë Kosovën në kualifikimet për Botërorin 2026, por me gjasë edhe në ndonjë cikël pasues.