Futboll

Mungoi në ndeshje dhe u paraqit në karnaval, kritika të shumta për Neymarin

Neymar

Arsyetimi i Neymarit për mungesë në një gjysmëfinale me Santosin është kritikuar, pasi ylli i futbollit u pa në një karnaval javën e kaluar.

Santosi të dielën humbi 2:1 nga Corinthiansi në gjysmëfinale të kampionatit shtetëror të Sao Paulos, ndërsa Neymari qëndroi në stol për 90 minuta. Të hënën ai tha se kishte lëndim të lehtë, pa dhënë më shumë detaje.

Por ditë më parë sulmuesi u fotografua në Sambadrome të Rio de Janeiros, vendi ku mbahet karnavali i famshëm.

Ai u paraqit në paradën e karnavalit vetëm disa orë pasi u zëvendësua në ndeshjen e kampionatit shtetëror të Sao Paulos, më 2 mars. Ai ishte zëvendësuar për shkak të një lëndimi.

Analistë të shumtë kanë kritikuar Neymarin se nuk është i fokusuar në karrierën e tij, të cilën po mundohet ta kthejë në rrugën e duhur te Santosi në Brazil.

“Ai zgjodhi karnavalin në vend të gjysmëfinales”, tha Walter Casagrande Jr. 

Neymari edhe në të kaluarën lëshonte lojë te Barcelona për t’u paraqitur në karnavalin e Rios.