Futboll

Mourinho i zakonshëm, “sulmon” UEFA-n pas ndeshjes së parë te Fenerbahçe

Jose Mourinho

Jose Mourinho ka sulmuar UEFA-n pasi nisi me fitore periudhën si trajner i Fenerbahçes. Edin Xheko shënoi “hat-trick” në ndeshjen emocionuese në Ligën e Kampionëve. Të martën mbrëma në Thun të Zvicrës, Fenerbahçe fitoi 4:3 ndaj Luganos. Ndeshja e kthimit e raundit të dytë kualifikues të Championsit është më 30 korrik në Stamboll.

Trajneri i njohur portugez ishte i zemëruar ndaj Konfederatës Evropiane të Futbollit për zhvendosjen e ndeshjes në Thun, mbi 200 kilometra larg Luganos. UEFA mori këtë vendim pasi e konsiderojë stadiumin e Luganos të papërshtatshëm për ndeshje kualifikuese të Championsit.

Ndeshja u luajt në fushë sintetike dhe Mourinho e vlerësoi këtë “sfidë” për skuadrën e tij.

“Ne u përpoqëm të mos gjenim arsyetime para ndeshjes, por të luash futboll cilësor në ndeshje sintetike është sfidë”, ka thënë Mourinho.

“Topi nuk lëviz ashtu si duhet. Lojtarët kanë vështirësi për të dribluar dhe ritmi i lojës ngadalësohet ndjeshëm. Nuk mund ta kuptoj pse UEFA lejon ndeshje të Ligës së Kampionëve në fusha sintetike”, ka shtuar Mourinho.

Kalimi i Mourinhos te Fenerbahçe bëri bujë, jo vetëm në Turqi. Por skuadra e tij kishte fillim jo të mirë të ndeshjes. Pësoi gol pas vetëm katër minutash.

“Është e çuditshme që një ekip i mirë si Lugano do të zgjidhte të luante në një fushë të tillë. Nuk është ideale për lojë futbolli”, ka vazhduar Mourinho.

Uran Bislimi shënoi njërin prej golave të Luganos. Ndërkohë boshnjaku Xheko shënoi golin e parë për gjigantin turk në minutat shtesë të pjesës së parë. Realizoi sërish me të nisur pjesa e dytë dhe në minutën e 67-të. Ferdi Kadioglu shënoi në minutën e 74-t golin e fundit për Fenerbahçen.

Mourinho ka shpresuar në fillim më të qetë me skuadrën e re, por ndeshja ishte dramatike dhe e hapur deri në fund.

Në stilin e tij të zakonshëm, Mourinho ka kritikuar mbrojtjen e skuadrës turke, ndërsa ka akuzuar edhe Luganon për sjellje jo sportive. Sipas tij, Lugano nuk e ktheu topin para golit të tretë. Loja ishte ndalur për t’i lejuar trajtim mjekësor një lojtari.

“Një ndeshje me shtatë gola është interesante për tifozët, por nga perspektiva e trajnerit, pranimi i tri golave është problematik. Nuk më pëlqen të pranojmë gol nga ndërprerjet. Goli i dytë ishte i lehtë, ndërsa i treti nuk ishte korrekt. Ata është dashur të na japin topin, por nuk e bënë këtë”, ka thënë Mourinho.