Si 38-vjeçar dhe me 174 ndeshje për Kroacinë, Luka Modriq më në fund ka fituar trofeun e parë me përfaqësuese. Bëhet fjalë për trofeun e turneut ACUD Cup, të mbajtur në Egjipt deri të martën.
Ndonëse turneu nuk ishte shumë i fortë, Modriq tashmë e ka ngritur lart trofeun e parë si kapiten i Kroacisë. Ngjarja në Egjipt është pjesë e organizimeve të FIFA-s.
Modriq prej vitit 2012 është te Real Madridi. Ka kohë që llogaritet prej mesfushorëve më të mirë në botë. Gjatë karrierës së mahnitshme ka fituar gjithë trofetë e mundshëm me Real Madridin. Ka tre tituj të Spanjës e dy Kupa. Ka po ashtu pesë tituj të Evropës për klube dhe katër të botës.
Por me Kroacinë deri të premten mbrëma ka dështuar të fitojë trofe, shkruan “index.hr”.
Në katër vjetët e fundit, Modriq me Kroacinë humbi finalen e Kupës së Botës dhe të Ligës së Kombeve, por një ngushëllim të vogël e gjeti në Kajro.
Me tjetër paraqitje brilante, Modriq e udhëhoqi Kroacinë në finale ndaj Egjiptit. Kroatët fituan 4:2, ndërsa Modriq luajti një orë. Asistoi në dy gola. Në gjysmëfinale, Kroacia fitoi pas penalltive ndaj Tunizisë. Në turneun në Egjipt u paraqit edhe Zelanda e Re.
Në qershor, superylli kroat nis sulmin për gjënë e vetme që i mungon në karrierë – trofeun me përfaqësuesen në një ngjarje të madhe. Kapiteni Modriq do ta udhëheq Kroacinë në Kampionatin Evropian në Gjermani. Me gjasë do të jetë ngjarja e fundit e Modriqit me Përfaqësuesen kroate.
Ai ka nisur karrierën si fëmijë te Zara, ndërsa zhvillimin e bëri te Dinamo Zagrebi. Si huazim luajti për Zrinjskin e Mostarit dhe Inter Zapreshiqin. Në vitin 2008 bëri transferim të madh nga Dinamo te Tottenhami. Pas shkëlqimit në Angli, iu bashkua Real Madridit, ku u shndërrua në legjendë të futbollit kroat dhe evropian.