Lionel Messi po vazhdon të impresionojë me paraqitje në fushë. Të dielën ai kontribuoi në plot gjashtë gola në fitoren 6:2 të Inter Miamit ndaj New York Red Bulls.
Dhe gjithë këtë kontribut e dha në pjesën e dytë. Inter Miami ishte duke humbur 1:0 pas pjesës së parë, por shkatërroi New Yorkun në pjesën e dytë. Ndeshja i takoi ligës MLS të SHBA-së, ku Messi shkruan histori thuajse në secilën ndeshje.
Argjentinasi Messi asistimin e parë e bëri në minutën e 48-të, ndërsa menjëherë në minutën e 50-të realizoi gol me asistim të Luis Suarezit.
Më pas Messi i rreshtoi pesë asistime, tri prej tyre për Suarezin, që ndeshjen e përfundoi me “hat-trick”. Dy gola të tjerë i shënoi Matias Rojas.
Kështu Messi ka vendosur rekord të MLS-së sa i takon asistimeve në një ndeshje të vetme – plot pesë.
Po ashtu vendosi rekord për kontribut në gola në një ndeshje të vetme të MLS-së – gjashtë.
Shifrat e Messit në SHBA janë të jashtëzakonshme. Këtë edicion në tetë paraqitje në ligë i ka plot dhjetë gola e 13 asistime.
“Leo bëri diçka historike sonte me pesë asistime dhe një gol. Por nuk mund të harroj tre golat e Suarezit dhe dy golat e Rojas. Goli i parë i Rojas ishte i mahnitshëm. Por për shkak të aspektit teknik të Leos gjatë asistimit, do të zgjidhja si të pëlqyer golin e Suarezit”, ka thënë trajneri i Inter Miamit, Tata Martino.
Messi mungoi në disa ndeshje gjatë marsit dhe në fillim të prillit për shkak të një lëndimi. Por u kthye shumë fuqishëm.
“Messi kishte ndeshje të jashtëzakonshme në Barcelonë gjatë kohës time atje. Por po ashtu mbaj mend gjysmëfinalen me Paraguain në Copa America në Kili, ku nuk shënoi gol, por sërish ishte më i miri në fushë. Në Barcelonë ishte një ndeshje ku ishim duke pësuar 2:0 dhe më pas fituam 3:2 falë shënimeve të tij. Ishte një tjetër ku pësonim 1:0 dhe më pas Messi shënoi tri gola dhe fituan 4:1 ndaj Sevillas. Ai gjithnjë bën diçka të re. Të përfshihesh në gjashtë gola në fitore 6:2 të ekipit është diçka që vështirë do të shihet sërish”, ka shtuar Tata Martino.
Messi e Suarez ishin bashkëlojtarë te Barcelona dhe tani po bashkëpunojnë shumë mirë tek Inter Miami. Messi dy rekorde të ligës amerikane i kishte vendosur edhe javën e kaluar.
“Bashkëpunimi në pjesën e dytë mes Messit dhe Suarezit ka funksionuar mirë, si në kohërat e vjetra. Kur gjejnë njëri-tjetrin, ekipi është në gjendje të kthehet në lojë. Dhe kur gjejmë hapësirë, ata kanë ndikim të madh në lojë, ka theksuar Martino.
Shumë kanë menduar se me transferim në SHBA, karriera e 36-vjeçarit po përfundonte. Por superylli vazhdon të shfaq magji në fushën e blertë.