Futboll

Messi shpreson që Di Maria të shënojë në finale

Di Maria

Ylli i Argjentinës, Lionel Messi, dëshiron që Angel Di Maria të shënojë gol në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kolumbisë. Di Maria ka njoftuar se pas përfundimit të “Copa America” do të pensionohet nga përfaqësuesja e Argjentinës.

“Ndoshta ai do të shënojë një tjetër gol në finale, siç bëri në të gjitha të mëparshmet ku ka luajtur. Do të ishte e jashtëzakonshme. Ne gjithmonë i themi atij se nëse gjithçka shkon mirë, i kemi kualifikimet për Kupën e Botës. Megjithatë, Di Maria e ka vendosur dhe nuk ka asgjë që mund ta ndryshojë mendimin e tij”, u shpreh tetë herë fituesi i Topit të Artë. Për Di Marian ka folur edhe selektori Lionel Scaloni.

“Edhe pse e dimë se do të jetë ndeshja e tij e fundit, ne gjithmonë do të vendosim fillimisht se çfarë është më e mira për ekipin. Nëse ai luan do të jetë sepse duhet të luajë. Nëse ne vendosim të mos luajmë me të, është sepse ne mendojmë ndryshe. Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë dhe se Angeli mund të tërhiqet në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Scaloni.

Di Maria me Argjentinën ka zhvilluar 144 ndeshje dhe ka shënuar 31 gola.

Ka fituar Kupën e Botës dhe Kupën e Amerikës. Finalja mes Argjentinës dhe Kolumbisë zhvillohet në orët e para të së hënës.