Ylli i futbollit Lionel Messi të premten në një intervistë për mediumin argjentinas “Infobae”, ka befasuar me përgjigje për skuadrën më të mirë në botë aktualisht.
Messi u shpreh se Real Madridi është skuadra më e mirë sipas rezultateve.
“Ekipi më i mirë është Real Madridi. Ai është kampioni i fundit i Ligës së Kampionëve. Nëse flisni me rezultate, është Madridi”, u shpreh Messi.
Legjenda e Barcelonës tutje ka theksuar se skuadra që e pëlqen është Manchester City në krye me Pep Guardiolën.
“Personalisht më pëlqen City i Guardiolës dhe mendoj se çdo skuadër ku është Guardiola do të jetë e veçantë për mënyrën se si ai është, mënyra se si stërvitet dhe mënyra se si punon. Ai i bën ekipet e tij të luajnë lojë të bukur. Në nivelin e lojës për mua, City është më i miri, si rezultat Madridi”, ka thënë argjentinasi.
36-vjeçari është pjesë e skuadrës së Inter Miamit që garon në MLS të SHBA-së.
Messi ishte pjesë e Barcelonës për 21 vjet. Argjentinasi realizoi 778 paraqitje me klubin e Barcelonës, duke realizuar 672 gola e duke asistuar 305 herë.
Ai fitoi me Barcelonën pothuajse çdo gjë çka mund të fitohej. Messi fitoi 10 trofe të La Ligas, tetë Kupa të Mbretërit, shtatë Superkupa të Spanjës, katër Liga të Kampionëve, tri Superkupa të Evropës dhe tri Kupa të Botës për Klube.