Paris Saint-Germani po punon për edicionin e ardhshëm, ndërsa Ardon Jashari është një nga lojtarët që trajneri Luis Enrique i dëshiron në skuadër. Kështu ka raportuar “footenfrance.fr” të hënën.
“Maxim De Cuyper nuk është lojtari i vetëm i Club Brugget që ka rënë në sy të Luis Campos. Ardon Jashari është lojtari tjetër që figuron në listën e drejtorit sportiv të PSG-së”, shkruan sajti francez.
Jashari iu bashkua Brugget verën e vitit të kaluar për 6 milionë euro nga Luzerni. 22-vjeçari po kalon formë të mirë këtë edicion. Është titullar i padiskutueshëm te skuadra belge. Ai është lojtar elegant, luan me këmbë të majtë dhe ka teknikë të shkëlqyer me top. Krijon edhe hapësira të mëdha në fushë, ndërsa shquhet edhe për organizim të mirë të lojës. Është krahasuar me Granit Xhakën.
Jashari me klubin belg ka kontratë deri në verën e vitit 2029. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 25 milionë euro.