Futboll

Mediet zvicerane për ndeshjen ndaj Serbisë: Duel shpërthyes, Xhaka në qendër

Granit Xhaka

Mediet zvicerane kanë nisur të shkruajnë më shumë për ndeshjen e së shtunës mes Serbisë dhe Zvicrës që zhvillohet në Leskovc. Ndeshja i takon Ligës së Kombeve të UEFA-s.

“Duel shpërthyes kundër Serbisë, Granit Xhaka në mes”, është titulli i gazetës “20 Minuten”.

Kjo gazetë e ka quajtur “të zezë” të kaluarën e Xhakës në ndeshjet me Serbinë. Ka komentuar që pritja mund të jetë armiqësore ndaj Xhakës në stadiumin “Duboçica”.

“Ndeshjet ndaj Serbisë në Botërorin 2018 dhe 2022 mbahen mend për të keq. Të dyja ndeshjet ishin me turbulenca të mëdha dhe shkaktuan bujë edhe pas fishkëllimës së fundit: shqiponja dykrenare, zënka dhe goditje nën brez – gjithmonë në qendër Granit Xhaka”, ka shkruar “20min.ch”, ndër të tjera.

Është përmendur prejardhja e Xhakës nga Kosova, telashet e familjes së tij në të kaluarën dhe ana politike e ndeshjes.

“Blick” ka shkruar se “ndeshje e nxehtë e pret Zvicrën në Serbi”. Natyrisht, janë paraqitur fotografi nga duelet e Xhakës me lojtarët e Serbisë në Botërorin në Katar.

“Zvicra para duelit shpërthyes në Serbi, Tami në bisedë me Xhakën”, shkruan sajti zyrtar i televizionit zviceran, SRF.

Pierluigi Tami është drejtori i përfaqësueses së Zvicrës dhe ai ka premtuar se do të flasë me Xhakën para udhëtimit për në Serbi.

Derisa federata zvicerane nuk ka planifikuar masa shtesë të sigurisë, federata serbe ka njoftuar se do të ketë të tilla. Ka lënë të kuptohet se nuk do të lejohen flamuj me përmbajtje provokuese e as thirrje të kësaj natyre. Pjesëtarët e Policisë serbe pritet të jenë të shumtë, ndërsa biletat janë të personalizuara për secilin shikues. Federata serbe ka njoftuar se është nën vëzhgim të rreptë të UEFA-s.

Xhaka me shumë gjasë do të fyhet nga tifozët serbë. Por në dyja herët e kaluara, kjo e ka motivuar të japë edhe më shumë në fushën e blertë.

Andi Zeqiri është futbollist tjetër shqiptar te Zvicra. Xherdan Shaqiri, që ka shënuar gola ndaj Serbisë në dy ndeshjet e famshme në Botëror, i ka dhënë fund karrierës me helvetikët.