Futboll

Me përkrahjen e publikut, Kosova shpreson në fitore ndaj Ukrainës

Kosova

Fitorja ndaj Ukrainës do të rriste maksimalisht gjasat për kualifikim historik të Kosovës në Kampionatin Evropian të Hendbollit që në vitin 2026 organizohet në Danimarkë, Suedi e Norvegji.

Por për ta fituar ndeshjen e parë kundër Ukrainës, përzgjedhësi Bujar Qerimi dhe hendbollistët kanë bërë thirrje për përkrahje.

Thirrjen për mbështetje masive Qerimi e bëri pas stërvitjes së parë që Kosova e zhvilloi të dielën mbrëma në Prishtinë. Në stërvitjen e parë ishin vetëm dhjetë lojtarë.

Ndeshja e parë mes Kosovës dhe Ukrainës zhvillohet të enjten prej orës 20:15 në palestrën e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Ndeshja e dytë zhvillohet të dielën e ardhshme në Klaipeda të Lituanisë.

Ndeshjet i takojnë Grupit 6 të fazës së dytë kualifikuese.

“Pres të luajmë tetë kundër shtatë  lojtarëve, pasi në hendboll është mundësia dhe pres nga publiku të jenë përkrahës të mëdhenj. Rrisin kapacitetin e lojtarit si në aspektin fizik ashtu edhe moral”, ka thënë selektori Qerimi.

Në vjeshtë Kosova humbi me 11 gola dallim nga Ishujt Faroe e më pas barazoi me Holandën, favoriten e grupit.

“Gjasat janë reale. Këta djem do të bëjnë gjithçka që është e mundur. Të enjten të fitojmë dy pikët këtu. Pika që kemi fituar ndaj Holandës, favorites së grupit, ka qenë me rëndësi të madhe”, është shprehur Qerimi.

Ai insiston se gjenerata aktuale e hendbollistëve meriton paraqitjen në një ngjarje të madhe.

“Kjo gjeneratë ka bërë shumë për hendbollin deri ku kemi arritur. Është ëndërr e të gjithëve të arrijmë kualifikimin në Evropian. Edhe po të fitojmë kemi ende ndeshje për të luajtur në maj, të cilat po ashtu janë të rëndësishme. Kemi edhe mundësi të shkojmë si të tretët, pasi katër prej ekipeve më të mira nga vendi i tretë sigurojnë kualifikimin në Evropian. Në sport duhet të vazhdosh me kokën lart”, ka theksuar Qerimi.

Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjet me Ukrainën. Por, te Kosova ka mjaftueshëm lojtarë me përvojë e që pritet të bartin barrën kryesore.

Një prej tyre është Egzon Gjuka. Gjuka është hendbollisti më i mirë në Kosovë i shpallur nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

Gjuka thotë se ndeshja në Prishtinë është më e rëndësishmja për Kosovën.

“Ndeshja në Prishtinë është më e madhja dhe historike për ne deri tash. Nëse fitojmë matematikisht kemi gjasa të mira të shkojmë në Evropian. Pastaj na mbetet si finale ndeshja e fundit ndaj Ishujve Faroe në Prishtinë. Ndeshja në Lituani ka rëndësinë e vet, por nuk është vendimtare”, ka thënë Gjuka

Ai ka theksuar se e kanë të qartë qëllimin.

“Ne kemi ardhur vetëm me një qëllim që brenda këtyre dy ndeshjeve së paku të fitojmë një ndeshje dhe pastaj në muajin maj janë ndeshjet vendimtare për ne. Besoj se do të japim maksimumin dhe i bëj ftesë publikut të na përkrahë në Prishtinë, pasi na duhet përkrahja e tyre dhe së bashku të arrijmë fitore të madhe”, thotë Gjuka.

Se ndeshja e së enjtes është shumë e rëndësishme e thotë edhe portieri Haris Berisha.

“Loja në Prishtinë është shumë e rëndësishme për vazhdimin e kësaj kampanje, pasi nëse arrijmë rezultat pozitiv kemi gjasa të mëdha për një kualifikim të mundshëm. Me angazhimin e të gjithëve besojmë se do të arrijmë atë që meritojmë”, ka thënë Berisha.

Berisha shpesh ka qenë vendimtar në rrjedhën e lojës te Kosova. Pret ta ndihmojë Kosovën edhe ndaj Ukrainës.

“Presim të fitojmë pikë ndaj Ukrainës, pasi Ukraina nuk është kombëtare për t'u nënçmuar. Edhe ata kanë përvojë të madhe në këto gara. Kanë treguar në dy ndeshjet e fundit, kanë luajtur mirë. Në ndeshjen në shtëpi me ndihmën e publikut presim ta shfrytëzojmë dhe të fitojmë. Pastaj ta japim maksimumin edhe në ndeshjen në Lituani”, thotë ai.

Holanda i prin Grupit 6 me tri pikë nga dy ndeshje të luajtura. Ukraina dhe Ishujt Faroe kanë nga dy pikë, kurse Kosova është e fundit me një pikë.