Me ndihmën e futbollisteve të Shqipërisë U17, Kosova U17 ka siguruar kualifikimin në Ligën A.
Kosova siguroi vendin e parë në Grupin 4 të Ligës B. Kalimin në Ligën e A e siguroi pas fitores që Shqipëria e shënoi të martën ndaj Izraelit, 2:1.
“Dardanet” e reja më herët mposhtën Shqipërinë në ndeshjen e parë 3:1, derisa më pas barazuan me Izraelin 1:1. Është hera e tretë rresht që Kosova kualifikohet në Ligën A.
“Ky është një sukses shumë i madh i kësaj gjenerate, sepse shumica e tyre janë të lindura në vitin 2009, kurse në këto kualifikime luajnë futbolliste të lindura në vitin 2008 dhe 2009. I përgëzoj vajzat për këtë sukses dhe për punën dhe disiplinën e treguar në këtë cikël kualifikues. Tash na mbetet të përgatitemi për ndeshjet e ardhshme, ku kundërshtarët janë të nivelit shumë më të lartë. Gjithsesi, kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për vajzat tona që të fitojnë eksperiencë. Sigurisht se edhe në Ligën A do të mundohemi të bëjmë paraqitje sa më të mirë dhe ta përgatisim këtë gjeneratë për Kombëtaren U19 e pse jo edhe për Kombëtaren A”, ka theksuar Krasniqi.
Shorti për Ligën A kualifikuese për Evropianit 2025 tërhiqet në dhjetor, derisa ndeshjet e fazës së ardhshme do të zhvillohen në pranverën e ardhshme.