Ligue 1

Me fitore ndaj Le Havres, PSG-ja mund ta festojë titullin

PSG - Ligue 1

Paris Saint-Germaini është afër që ta fitojë titullin historik në Ligue 1 të Francës, të 12-tin.

PSG-së së drejtuar nga trajneri Luis Enrique i duhet vetëm fitorja ndaj Le Havres të shtunën nga ora 21:00 në “Parkun e Princave”.

Kjo ndeshje i takon xhiros së 31-të të elitës franceze të futbollit.

Në mesjavë, PSG-ja e kishte fituar ndeshjen e mbetur ndaj Lorientit 4:1 në udhëtim, me dy golat e Ousmane Dembeles dhe Kylian Mbappes.

Për PSG-në do të ishte titulli i 10-të në 12-të kampanjat e fundit.

Dhe është në garë për ta fituar “tripletën”, pasi luan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit, dhe është në finale të Kupës së Francës me Lyonin.

PSG-ja nuk ka pësuar humbje në ligë në 25 ndeshjet e fundit dhe e ka vetëm një disfatë në total, atë nga Nice në shtëpi, në muajin shtator.

Le Havre është në rrezik për të rënë nga liga, pasi e ka fituar vetëm një ndeshje nga 12 të fundit. PSG-ja është lidere me 69 pikë, 11 më shumë se Monaco e vendit të dytë. Le Havre zë pozitën e 16-të, atë të barazhit, me 28 pikë.