Janë mbyllur edhe katër ndeshjet tjera të xhiros së 35-të të elitës së futbollit të Kosovës, përkatësisht xhiros së parafundit.
Në katër ndeshjet tjera u shënuan plot 24 gola.
Gjilani fitoi ndaj Dritës 2:1 në terrenin me bar sintetik në Gjilan me golat e Edison Kqikut në minutën e 12-të dhe Kushtrim Shabanit në minutën e 48-të. Albert Dabiqaj e shënoi golin e vetëm për Dritën në minutën e 100-të.
Fitore në garën për t’i ikur barazhit ka shënuar edhe Feronikeli 74 që në Drenas e mposhti Dukagjinin, 3:2.
Agron Bruqi, Ibrahim Cërvadiku dhe Robert Rrahmani shënuan golat e fitores për vendësit, kurse Redon Syla e Amsal Krasniqi realizuan për skuadrën klinase.
Fitoren më të thellë e realizoi Malisheva, që e mposhti Lirinë, 7:4.
Drilon Hazrollaj realizoi katër gola në këtë ballafaqim dhe barazohet me Muhamet Hysenin e Llapit në listën e golashënuesve më të mirë, me nga 24 gola. Altin Aliu, Laurent Xhylani dhe Etnik Brruti me dy gola tjerë, ishin realizatorët në fitoren e thellë. Për Lirinë shënuan Valmir Berisha, Ubong Ekpai dhe Aldi Gjumsi me dy gola.
Fitore të thellë në këtë xhiro shënoi edhe Prishtina që e mposhti Fushë Kosovën 5:0, në ndeshjen që u zhvillua në “Bajram Aliu” në Skënderaj.
Mërgim Pefqeli, Ardian Limani, Hasan Hyseni me dy gola dhe Igball Jashari me një shënim tjetër, realizuan për fitoren e thellë të prishtinasve.
Ballkani me 75 pikë është kampion i Kosovës në edicionin aktual, kur ka mbetur edhe një xhiro për t’u luajtur.
Llapi i dyti ka 68 pikë, dy më shumë se Drita.
Malisheva e katërta ka 56 pikë.
Prishtina në vendin e pestë ka 49 pikë, katër më shumë se Dukagjini.
Gjilani me 42 pikë zë pozitën e shtatë, kurse Feronikeli 74 në vendin e tetë, përkatësisht të plejautit, ka 41 pikë.
Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 14 pikë zënë dy pozitat e fundit.
Në xhiron e 36-të dhe të fundit për edicionin aktual, takohen: Fushë Kosova – Feronikeli 74, Dukagjini – Gjilani, Drita – Malisheva, Liria – Llapi dhe kampioni i trefishtë i Kosovës, Ballkani e pret Prishtinën.
Ballkani e Prishtina më 22 maj do të luajnë në “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 15:00, edhe në finale të Kupës së Kosovës.