Futboll

Mbrëmje e madhe në Champions – derbi gjerman dhe tri superpërballje tjera

Xhaka

Të mërkurën mbrëma zhvillohen katër ndeshjet e tjera të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Secila ndeshje është më interesante se tjetra.

Megjithatë, sa i takon të mërkurës, vëmendja do të jetë në “Allianz Arena” në Munih, ku takohen dy skuadrat gjermane, Bayerni dhe Bayer Leverkuseni. Kjo ndeshje fillon në ora 21:00. Bayerni është lider në Bundesligë, ndërsa i ka tetë pikë më shumë se kampioni në fuqi, Leverkuseni. Por Bayer Leverkuseni nuk ka humbur asnjëherë nga Bayerni prej se skuadrën e drejton Xabi Alonso. Për më tepër, në ndeshjen e muajit të kaluar, që përfundoi 0:0, Leverkuseni ka dominuar plotësisht ndaj bavarezëve duke mos ua lejuar asnjë gjuajtje në portë. Ka faktorë që e favorizojnë Bayernin, por edhe plot faktorë tjerë që e favorizojnë Leverkusenin.

Leverkuseni në një të tetën e finales së Championsit kaloi direkt, duke përfunduar në vendin e gjashtë në fazën e ligës. Nga tetë ndeshje i mblodhi 16 pikë. Bayerni përfundoi i 12-ti me 15 pikë dhe u paraqit në plejof. Me shumë mund, me gol të minutave shtesë, e eliminoi Celticun.

“Janë dy ekipe me nivel të lartë individual dhe kjo do ta vendosë ndeshjen. Kemi pasur tri tregime të ndryshme në tri ndeshjet e kaluara me Leverkusenin këtë edicion. Leverkuseni e ka merituar vendin si top skuadër dhe ne mezi e presim përballjen me këtë ekip”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

Bayerni ka dukshëm më tepër përvojë dhe suksese në Champions, në krahasim me rivalin e së mërkurës mbrëma. Por Leverkuseni është kampion në fuqi në Gjermani dhe nuk është skuadër inferiore.

“Nuk e kemi problem të mbrohemi në thellësi nëse ekipi tjetër e meriton këtë. Kjo ndodhi në ndeshjen e kaluar. Por e tëra ka të bëjë me momentin. Luajmë në shtëpi nesër që kërkon mentalitet në vete. Ndeshja e nesërme nuk është ‘e gjitha ose asgjë’. Nuk duhet ta largojmë nga mendja se janë dy ndeshje. Por ne jemi nikoqirë në ndeshjen e parë, kështu që diçka speciale mund të ndodhë gjithnjë”, ka shtuar Kompany.

Granit Xhaka është prej lojtarëve kryesorë të Leverkusenit. Paraqitja e skuadrës varet shumë nga Xhaka. Ai është në moment të shkëlqyer. Në fundjavë kishte paraqitje dominante dhe u shpall më i miri i ndeshjes. Xhaka ka thënë se gjasat janë 50 – 50.

Prej orës 18:45 është ndeshja Feyenoord – Inter. Interi është skuadra e vetme italiane në këtë fazë të garës. Ndërkohë Feyenoordi për trajner ka emëruar Robin van Persien, kurse në raundin e plejofit e eliminoi Milanin.

Për Van Persien do të jetë ndeshja e parë në Champions si trajner. Ai pret përkrahje të madhe nga tifozët.

“Lojtarët janë në formë të mirë, kanë ushtruar mirë dhe janë pozitivë për atë që na pret”, ka thënë ish-sulmuesi i njohur.

“Mendoj se do ta kemi topin pak më shumë, por kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se do të krijojmë më shumë shanse. Kjo është sfida. Duhet të jemi të kujdesshëm për kërcënimet që vijnë nga Interi. Forca e kësaj skuadre vjen nga momentet e tranzicionit”, ka shtuar Van Persie.

Me shumë interesim pritet ndeshja mes PSG-së dhe Liverpoolit, që fillon në ora 21:00. Lideri i kampionatit francez, PSG, kishte fazë të ligës të vështirë, ndërsa në një të tetën e finales e kaloi lehtë Brestin. Ndërkohë Liverpooli pos që është lider në Premier League, ishte lider edhe në fazën e ligës.

“Liverpooli është prej ekipeve më të mira në Evropë në vitet e fundit. Nuk ka të bëj vetëm me Mohamed Salah, por Liverpooli ka shumë lojtarë në nivel shumë të mirë. Është ekip shumë i kompletuar, ndërsa kjo ndeshje është mundësi e mirë për të treguar se mund të jemi në nivel të njëjtë”, ka thënë trajneri i PSG-së, Enrique.

Nga ora 21:00 është edhe ndeshja mes Benficës e Barcelonës. Dy skuadrat u përballën në kuadër të xhiros së shtatë të fazës së ligës, ndërsa fitore 5:4 në Lisbonë shënoi Barcelona.

“Jemi përgatitur njëjtë si para ndeshjes së fazës së ligës. Por strategjia mund të jetë pak më ndryshe. Përballemi me një ekip të madh që shënon shumë gola. Por duhet të fokusohemi në gjërat e mira që i kemi bërë kundër këtij ekipi, si numri i madh i rasteve që kemi krijuar. Duhet të besojmë se mund të avancojmë”, ka thënë trajneri i Benficas, Bruno Lage.