Futboll

Mbappe zhvillon ndeshjen e fundit me PSG-në

Kylian Mbappe

Do të jetë paraqitja e 308 për Kylian Mbappen me klubin e qytetit të tij të lindjes, Paris Saint-Germainin, për të cilin nënshkroi në gusht të vitit 2017 nga Monaco për 180 milionë euro.

Kapiteni i Francës, tani 25-vjeçar, ndeshjen e fundit me PSG-në do ta luajë në Lille, kundër Lyonit, në finale të Kupës së Francës.

Ndeshja PSG – Lyon, të shtunën, nis në orën 21:00.

Mbappe ishte jashtë formacionit në dy ndeshjet e fundit të Ligue 1, në fitoren 2:1 në udhëtim te Nice më 15 maj, dhe në fitoren 2:0 ndaj Metzit të dielën.

Mbappe në edicionin aktual e ka fituar titullin në Ligue 1, ndërsa synon tjetër trofe me parisienët.

Me PSG-në e ka fituar gjashtë herë elitën e futbollit francez dhe dy herë Kupën e Ligës.

Në Kupën e Francës e kërkon trofeun e katërt kundër Lyonit.

Mbappe ka shënuar 42 gola në 64 paraqitje për Parisin në garën elitare të UEFA-s, por PSG-ja nuk e ka fituar trofeun në shtatë vjetët me Mbappen.

E kishte mundësinë në finale të vitit 2020 në Lisbonë kundër Bayern Munichut, por humbi 1:0.

Kishte edhe dy paraqitje në gjysmëfinale, por pa ia dalë të triumfojë në fund.

Real Madridi pritet të jetë destinacioni i ardhshëm i Mbappesë.