Kylian Mbappe duket i gatshëm ta bëjë debutimin e tij për Real Madridin në Superkupën e Evropës kundër Atalantas të mërkurën mbrëma.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, tha se sulmuesi francez është në formë të mirë pas Kampionatit Evropian. Ai ka shtuar se Mbappe është përshtatur mirë me ekipin dhe se mund të paraqitet nga minuta e parë në ndeshjen ndaj ekipit italian. Ndeshja Real Madrid – Atalanta luhet të mërkurën në Varshavë dhe nis në ora 21:00.
“Ne jemi shumë mirë. Mbappe ka ardhur në formë të mirë. Mbappe mund të luajë nga fillimi si gjithë të tjerët që janë këtu. Të gjithë mund të luajnë edhe pse nuk kemi pasur shumë kohë për përgatitje. Ai po përshtatet shumë mirë, është i fokusuar dhe po i tregon cilësitë e tij të jashtëzakonshme. Ne kemi projektin tonë. Kemi një skuadër shumë cilësore. Kanë ardhur lojtarë shumë kualitativë, por e rëndësishme është kolektivi në skuadër. Konkurrenca është e shëndetshme. Nuk ka princa apo mbretër, por grup”, ka thënë Ancelotti të martën në konferencën e tij të parë zyrtare për media para ndeshjes kundër Atalanta.
Ai vlerësoi ekipin që ka.
Vlerësohet se Ancelotti do të ketë probleme në përzgjedhjen e repartit të sulmit dhe mesfushës.
“Kur një lojtar është i mirë, ai do të luajë dhe do të kontribuojë. Ky problem nuk ekziston sepse kemi shumë ndeshje. Sezonin e kaluar, ata që luajtën më pak kontribuuan shumë.
Ancelotti është pyetur edhe për të ardhmen e Viniciusit. Ka pasur raportime se një skuadër saudite ka ofruar pagë 1 miliard euro. Por tekniku italian ishte i shkurtër në përgjigje. Ai tha se asgjë nuk ka të vërtetë.
Ai ka thënë se synimet e Realit janë shumë të mëdha.
“Do të jetë një sezon ku do të kërkojmë shumë dhe mund të jetë shumë i suksesshëm. Ne po e presim me padurim. Gjithçka do të jetë shumë kërkuese nga fillimi”, ka theksuar Ancelotti.
Ai ka thurur lavde për trajnerin e Atalantas, Gian Piero Gasperini. Reali fitoi Ligën e Kampionëve, kurse Atalanta Ligën e Evropës.
“Ai meriton të jetë në këtë nivel. Puna e tij është e jashtëzakonshme. Gasperinin e kam mik. Do të jetë ndeshje e vështirë”, ka thënë Ancelotti.
Reali ka përfshirë në skuadër edhe transferimin tjetër të kësaj vere, Endrick, ndërsa në dyshim për shkak të lëndimit të martën është Eduardo Camavinga. Ai u largua me dhimbje të mëdha nga seanca stërvitore. Shkaku lëndimit mungon edhe David Alaba.
Ben Godfreuy mund të bëjë debutimin e tij tek Atalanta, por Niclo Zaniolo mungon shkaku i lëndimit. Jashtë skuadrës janë edhe Gianuca Scamacca, Giorgio Scalvini dhe Rafael Toloi.
E tekniku italian i Atalantas, Gasperini ka qenë i matur në deklaratat para ndeshjes kundër Realit.
“Për mua është e rëndësishme që skuadra të luajë një lojë të mirë pa menduar se cila skuadër është në fushë. Shpresoj të luajmë mirë, sepse vetëm me kundërshtar të fortë mund të fitoni respektin maksimal”, ka thënë Gasperini në konferencën për media.
Reali vlerësohet favorit. Por Gasperinin nuk e pengon fakti se skuadra e tij vlerësohet autsajdere.
“Ne vijmë me entuziazmin tonë të zakonshëm, dëshirën tonë të zakonshme për të lënë përshtypje të mira”, ka thënë Gasperini.