Futboll

Mbappe konfirmon largimin nga Parisi, pritet kalimi në Madrid

Kylian Mbappe

Sulmuesi Kylian Mbappe, ka konfirmuar të premten mbrëma se do të largohet nga Paris Saint-Germaini në fund të edicionit.

Fituesi i Kupës së Botës ka shpërndarë një video emocionale në rrjetet sociale, përmes së cilës ka treguar se nuk do të firmosë vazhdimin e kontratës me parisienët. Kështu Mbappe u ka dhënë fund spekulimeve për të ardhmen e tij me klubin.

Komunikata erdhi pas një periudhe të gjatë me paqartësi lidhur me atë se a do të nënshkruajë 25-vjeçari vazhdimin e kontratën me klubin e Ligue 1.

Dhe në mes të thashethemeve, gjithnjë në rritje për një lëvizje në verë për në Real Madridi, ylli francez ka lënë  të kuptohet se një kalim në kryeqytetin spanjoll është opsion.

Mbappe ka shpjeguar në videon e tij të përzemërt se nuk do të largohet vetëm nga PSG-ja, por nga Franca gjithashtu. Kështu ka hapur derën për një lëvizje në La Liga.

“Është vështirë, është vështirë. Asnjëherë nuk kam menduar se do të jetë kaq vështirë për të komunikuar këtë. Të lë vendin tim, Francën, Ligue 1, kampionatin që e kam njohur gjithnjë. Por mendoj se më duhet kjo, një sfidë e re pas shtatë vjetësh”.

Mbappe nuk ka zbuluar qartë se ku do të luaj në edicionin e ardhshëm, por ai pritet t’i bashkohet Real Madridit. Ka shumë vjet që pritet një lëvizje e tij për te “mbretërit” nga Madridi.

Superylli botëror ishte pranë transferimit në “Santiago Bernabeu” në vitin 2022 si lojtar i lirë. Por bëri një kthim të papritur dhe firmosi kontratë të re me Parisin.

Ajo marrëveshje përfundon në verë dhe tashmë duket gati e sigurt se Mbappe më në fund do të bëjë lëvizjen për te 14 herë kampioni i Evropës.

Koha e tij në “Parkun e Princave” nuk ishte ajo që pritej, ndonëse ka fituar gjashtë tituj të Francës dhe tri Kupa të Francës që nga arritja në vitin 2018.

Golashënuesi i pandalshëm, që vlerësohet prej futbollistëve më të mirë në botë, ishte angazhuar nga Parisi për të udhëhequr ekipin që besohej se do ta fitonte Ligën e Kampionëve për herë të parë.
Por Championsi mbetet i paarritshëm për PSG-në. Dhe deri më tani edhe për Mbappen po ashtu.