Futboll

Martini për KOHËN: Evropiani Shqipëri – Kosovë do të ishte ëndërr për mua

Edi Martini

Prezantimi i Edi Martinit si trajner i klubit me nam të futbollit kosovar, Trepça nga Mitrovica, u përcoll me reagime të shumta.

Pati komente nga më të ndryshmet për qëndrimet e tij “pro” organizimit të përbashkët Shqipëri – Serbi të Evropianit U21 që do të mbahet në vitin 2027.

Me emërimin e Martinit në postin e trajnerit, nuk është pajtuar tifo-grupi mitrovicas, Torcida, që përkrah klubet Trepça.

Por, shkodrani Martini pret të ketë përkrahjen e “Torcidës” gjatë punës në Kosovë.

“Tifozëve të Trepçës, gjithkush, jo vetëm unë, ua ka borxh në fushën e lojës të dërgojnë Trepçën dhe ta bëjnë aq të madhe sa ka qenë, për çka shpresoj me ndihmën e tyre të ecim para dhe pastaj për gjërat tjera do ta njohin se kush është Edi, se sa nacionalist është Edi, se sa shqiptar është Edi. Unë do të shpresoj dhe do të mundohem që të bëj punën time deri në sekondën e fundit, sepse përndryshe nuk do të kisha pranuar të vij”, ka thënë Martini për KOHËN, të dielën.

Martini i qëndron prapa mendimit se Shqipëria do të përfitojë shumë nga organizimi i Evropianit të 21-vjeçarëve. Por ai po ashtu thotë se qëndrimet ndaj Serbisë nuk i ka ndryshuar dhe nuk do t’i ndryshojë kurrë.

“Unë kam thënë se u organizua apo jo me ata, qëndrimi im karshi tyre (serbëve v.j.) nuk ndryshon asnjë pikë e asnjë presje. Unë jam pro sportit dhe kam luajtur 6 apo 7 vjet për ekipin U21 të Shqipërisë dhe nuk kam arritur kurrë të shkoj në një finale të 21-vjeçarëve. Ka qenë ëndërr e imja si sportist që njëherë të vetme të kem privilegjin të luajë në Kampionatin Botëror ose Evropian, sepse për Shqipërinë dhe shqiptarët ka qenë e pamundur të kualifikohemi. Në këtë aspekt jam i kënaqur që është bërë, por duke pasur parasysh si Shqipëria që nuk bën asnjë ndeshje në Serbi, ashtu edhe Serbia në Shqipëri, nuk kam parë ndonjë gjë që është e keqe”, është shprehur Martini.

Ai ka theksuar se lidhja e tij me kosovarët është shumë e fortë.

“A do të kisha pasur dëshirë që ai Evropian të bëhet së bashku Shqipëri – Kosovë? Do të ishte ëndërr për mua. Por gjërat nuk janë në dorën time, janë thjesht disa gjëra që unë i kam shpreh dhe i kam thënë, kanë qenë pro sportit, pastaj politika është diçka tjetër. Edhe pse e kam thënë ashtu, mendimi im për Serbinë nuk ndryshon absolutisht siç ka qenë para kësaj deklarate, para 20 vjetësh, para 50 vjetësh. Shtëpia ime ka qenë me plot kosovarë”, ka deklaruar shkodrani Martini.

Ai së fundi punoi te Teuta e Durrësit. Ka punuar edhe te Luftëtari, Vllaznia dhe Laçi. Si futbollist ka pasur karrierë të pasur.

Trepça e riorganizuar së fundmi, synon rikthimin në Superligë, ndërsa Martini thotë se kishte detyrim t’i përgjigjej pozitivisht ftesës së presidentit të klubit, Nexhmedin Haxhiu.

Trepça renditet e treta me 26 pikë në Grupin A të Ligës së Parë, sa i ka edhe Trepça 89. Drenica udhëheq me 34 pikë, ndërsa Vëllaznimi është i dyti me 30 pikë.

“Klubin e Trepçës e njoh qysh si 17-vjeçar. Nexhi, presidenti i klubit, i cili ka qenë menaxheri im, qysh në vitin 1993 më ka mundësuar karrierë jashtë vendit. Miqësia jonë për më shumë se tri dekada vazhdon e njëjtë si në ditën e parë kur kam qenë sportist. Ka vazhduar në gjitha aspektet. Thirrja e tyre më ka bërë një lloj detyrimi të vij të punoj në Kosovës, sepse Nexhit nuk mund t’i thosha jo”, ka thënë Martini.

Ai pranon se puna te klubi Trepça është me përgjegjësi të madhe.

“Unë kam pasur disa herë ftesë për të punuar në Kosovë, por nuk kam ardhur. Para shumë vjetësh kam qenë lojtar i Flamurtarit të Prishtinës. Kam shumë miq në Kosovë, në çdo cep të Kosovës, sepse jeta e sportit ka qenë e tillë të kem bashkëlojtarë, por edhe tifozë që janë prej Kosovës, kështu që të gjitha këto janë bërë bashkë që të pranoj me kënaqësi te skuadra e Trepçës, sepse e di sa e rëndë është ajo fanellë”, ka thënë Martini.