Futboll

Maqedonci, gjyqtari që po bën emër në futbollin e Suedisë

Granit Maqedonci

Numri i futbollistëve shqiptarë në disa vende evropiane është goxha i madh. Ka pak trajnerë e edhe më pak gjyqtarë të futbollit.

Njëri prej gjyqtarëve është Granit Maqedonci. 36-vjeçari tashmë i ka drejtuar plot 112 ndeshje në Allsvenskan, ligën elitare të Suedisë. Ndeshjen e 112-të e kishte të dielën. E ndau drejtësinë në takimin e xhiros së tretë, Sirius – Brommapojkarna.

Maqedonci tashmë është gjyqtar me stemë të FIFA-s, ndërsa synon që së shpejti të drejtojë ndeshje në kuadër të kupave evropiane.

“Kam nisur të referoj kur ishte 15-vjeçar. Këtë e bëra për të fituar para shtesë. Kam luajtur edhe futboll, paralelisht, deri në moshën 25-vjeçare kur zgjodh të fokusohem në referim. Ka tetë vjet që jam gjyqtar elitar në Suedi. Është viti im i katërt në Allsvenskan dhe i dyti i arbitër i FIFA-s”, ka thënë Maqedonci të dielën për KOHËN.

Ai është i lindur në Prishtinë, por i rritur në Suedi.

“Në Superettan, kategoria e dytë e futbollit në Suedi, i kam 78 ndeshje. Në Allsvenskan i kam mbi 110 lojë e 11 të tjera në Evropë”, tregon Maqedonci bilancin e deritashëm. Ka edhe ndeshje në kategoritë tjera të Suedisë, më herët në karrierë.

Në Evropë ka drejtuar gjashtë ndeshje në kualifikimet për Evropianin U19. I ka tri ndeshje në UEFA Youth League dhe dy në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

“Shpresoj se do të kem ndeshje edhe më të rëndësishme në të ardhmen. Synimi im është të gjykoj ndeshjet e fazës së ligës në kupat evropiane. Vitin e kaluar kam pasur ndeshje kualifikuese dhe shpresa është që mund të bëj hapin tutje në Evropë. Do të dëshiroja të kisha edhe një ndeshje në Kosovë, nëse do të ketë mundësi. Kam qenë në kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës, por më duket e vështirë për t’u aranzhuar”, ka shtuar Maqedonci.

Ai ka treguar se ka raste kur flet shqip me lojtarët shqiptarë, kur është vetëm me ta. Por thotë se jo shumë njerëz e dinë që është nga Kosova, për shkak të mbiemrit.

“Shumë mendojnë se jam nga Maqedonia”, thotë Graniti.

Por si ndihet ai që drejton ndeshje në elitën e Suedisë?

“Më bën shumë krenar. Të jem shqiptari i parë nga Kosova që referon në ‘Allsvenskan’ më bën të lumtur. Aq më tepër që janë hapur dyert për të tjerët. Në Superettan tashmë janë disa arbitra nga Kosova”.

Një javë më parë Maqedonci e drejtoi ndeshjen mes AIK-ut dhe Norrkopingut. Ndeshjen e fitoi skuadra vendase 4:3. Ndeshja ishte ndërprerë për rreth 25 minuta pasi tifozët vendas goditën me një mjet të fortë njërin prej asistentëve të arbitrit.

Ka pasur reagime të shumta në Suedi për atë rast. Ndeshja është zhvilluar në stadium të stërmbushur dhe në atmosferë të zjarrtë. Në fakt në Suedi pasioni për futbollin është i madh.

“Ishte një ndeshje plot zhvillime që ishte në dyshim për të vazhduar disa herë. Për herë të parë kam ndërprerë një ndeshje. Arritëm ta përfundojmë ndeshjen me masa shtesë. Vendimi ishte për shkak të asistentit tim, pasi ai duhej të ishte në gjendje të performonte, edhe pse kishte një turmë pas tij që mund të hidhte përsëri ndonjë gjë. Mori shumë vëmendje në Suedi dhe ne kemi procedura të reja për trajtimin e ngjarjeve të ngjashme”, ka treguar Maqedonci.

A i mori arbitri kosovar vendimet e duhura?

“Kemi ndjekur protokollet që kemi dhe gjithçka është trajtuar sipas direktivave. Natyrisht, kemi pyetur veten nëse ishte vendimi i duhur. Por çka nëse asistenti merr një vendim të gabuar dhe pranohet një gol i gabuar? Të gjithë do të thoshin se ishte për shkak të frikës dhe se ai ishte ndikuar nga objekti i hedhur. Në të ardhmen me shumë mundësi do të merren masa të tjera për të siguruar mjedisin e punës”, ka shtuar Granit Maqedonci.