Derisa mesfushori Bernardo Silva ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët te Manchester City janë të motivuar nga mundësia e fitimit të tre trofeve për herë të dytë rresht, trajneri Pep Guardiola ka tërhequr vërejtjen se kjo po ëndërrohet shumë herët.
City e pret Real Madridin të mërkurën prej orës 21:00, në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ndeshja luhet në “Etihad”.
Manchester City e kaloi Real Madridin në gjysmëfinale një vit më herët, në rrugën drejt triumfit të parë në Champions. City aktualisht udhëheq në Premier League, ndërsa është në garë edhe për Kupën FA.
“Nuk do t’u them lojtarëve që mos ta ndiejnë këtë, por unë kam opinion tjetër. Jemi goxha larg nga këto ëndrra hipotetike”, ka thënë Guardiola në konferencë për shtyp, të martën.
“Kur të jemi në finale të Kupës FA dhe dy-tri ndeshje larg fundit në Premier League, si dhe në finale të Ligës së Kampionëve, atëherë do të filloj të mendoj për këtë . Kam filluar të mendoj për tre trofe edicionin e kaluar vetëm pasi kemi mposhtur Manchester Unitedin në finale të Kupës FA”, ka shtuar Pep Guardiola.
Skuadra e tij mund ta sigurojë finalen e Kupës FA me fitore ndaj Chelseat të shtunën. City ka dy pikë më shumë se Arsenali dhe Liverpooli në garën për titull në Premier League gjashtë xhiro para fundit.
Real Madridi dhe Manchester City luajtën ndeshje të madhe javën e kaluar. Ndeshja përfundoi 3:3 dhe kështu sfida është plotësisht e hapur për ndeshjen e kthimit. Guardiola do ta ketë në dispozicion Kevin de Bruynen, që për ndeshjen e parë ishte sëmurë. Mbrojtësi Kyle Walker, po ashtu është në dispozicion.
“Ndeshjet me Real Madridin gjithnjë ishin të mëdha dhe do të jenë të tilla. Është Real Madridi dhe në këtë garë gjithnjë është ndeshje e madhe. Është e veçantë për mua, natyrisht. Duhet të jemi të gatshëm. Por deri në minutën e dhjetë nuk do të dimë kualitetin e atyre që luajnë. Disa gjëra duhet t’i bëjmë më mirë se në ndeshjen e parë. Real Madridi nuk është kundërshtar si të tjerët. Duhet të respektojmë këtë skuadër. Duhet të imponojmë mënyrën tonë të lojës sa më shumë që është e mundur”, ka thënë Guardiola.
Te Reali kanë thënë se kanë humbur humbjen e rëndë të edicionit të kaluar në Manchester. Një vit më parë madrilenët kishin pësuar 4:0 në ndeshjen e dytë çerekfinale.
“Mendoj se kemi harruar atë që ndodhi. Jemi të fokusuar vetëm në ndeshjen e nesërme, duke menduar për atë që ndodhi javën e kaluar”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
Sipas tij, ndeshja e parë ishte e barabartë dhe tani çdo gjë mund të ndodhë.
“Ne besojmë se kemi kualitetet e nevojshme për të krijuar problem. Ndeshjet ndaj Cityt gjithnjë ishin spektakolare. Nesër do të jetë njëjtë”, ka shtuar trajneri i madrilenëve.
Ancelotti megjithatë nuk është i brengosur para ndeshjes me Cityn. Ka thënë se do të mbetet pa gjumë vetëm nëse ushqehet shumë. Ancelotti ka theksuar se Erling Haaland është njëri prej lojtarëve më të mirë të Cityt. Ka lavdëruar edhe Jude Bellinghamin e skuadrës së tij. E ka quajtur lojtar fantastik.
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në Munih. Nga ora 21:00 takohen Bayerni e Arsenali. Ndeshja në Londër kishte përfunduar 2:2. Derisa Bayerni ka humbur garën për titull të Gjermanisë dhe për Kupë të Gjermanisë, Arsenali është në garë për titull në Premier League. Të dy skuadrat duan vendin në gjysmëfinale të Championsit dhe ndeshja pritet të jetë e zjarrtë.