Sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj, për herë të fundit kishte shënuar gol në fitoren e Sivassporit 4:2 në udhëtim tek Adana Demirspor më 25 tetor.
Tre muaj më vonë, Manaj ka shkëlqyer duke shënuar sërish dy gola për Sivassporin, ndërsa ka kontribuuar edhe me dy asistime në fitoren 5:2 në shtëpi ndaj Kayserisporit.
Mysafirët për shkak të kartonëve të kuq e mbyllën ndeshjen me dy futbollistë më pak në fushë.
Manaj realizoi nga afërsia për 1:0 në minutën e pestë të ndeshjes, ndërsa për 3:0 asistoi në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
27-vjeçari, i cili e kompletoi ndeshjen, asistoi edhe në golin për 4:1, në minutën e 77-të.
Ndërkohë, golin e fundit në ndeshje për 5:2, e shënoi në minutën e dytë të kohës shtesë.
Manaj në 14 ndeshje të zhvilluara në edicionin aktual të Superligës së Turqisë i ka gjashtë gola të realizuar e tri asistime në total.
Ndeshja e së shtunës i takoi xhiros së 21-të të elitës turke.
Sivasspori ka 23 pikë pas 20 ndeshjeve të luajtura, ndërsa Kayserispori në pozitën e 17-të mbetet me 16 pikë dhe vazhdon garën e fortë për mbijetesë.