Real Madridi ka bërë disa rikthime të mëdha në Ligën e Kampionëve në vitet e fundit. Por për ta kaluar çerekfinalen e këtij edicioni i duhet një mrekulli e vogël.
Madrilenët, që janë fitues në fuqi të Championsit, kanë humbur 3:0 ndeshjen e parë çerekfinale nga Arsenali, javën e kaluar në “Emiratës”. Tani u duhet fitore me tri gola dallim për të siguruar vazhdimet e potencialisht penalltitë. Për kualifikim në gjysmëfinale, Madridit i duhet fitore edhe më e thellë.
Ndeshja e kthimit mes Real Madridit dhe Arsenalit zhvillohet të mërkurën prej orës 21:00 në “Santiago Bernabeu”.
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, është optimist.
“Kemi kualitet për të përmbysur rezultatin e kësaj sfide. Kjo është e mundur me përkushtim, përvojë dhe përkrahje të tifozëve. Ekipi është dhe tani duhet të shfaqim më të mirën. Mentalisht jemi shumë mirë dhe duhet të kemi kontroll të mirë në ndeshje”, ka thënë Ancelotti të martën në konferencë për shtyp. Ai pret përkrahje të madhe nga tribunat.
“’Bernabeu’ ka magjinë dhe të gjithë e dinë që është atmosferë e veçantë. Na duhet çdo gjë: paraqitje e plotë dhe cilësore, në aspektin fizik dhe në aspektin kolektiv. Asgjë nuk bën të shkojë gabimisht. Motivimi është dhe tani dua që lojtarët të jenë të qetë para ndeshjes. Jam i bindur se do të japim çdo gjë”, ka shtuar tekniku italian.
Londinezët kanë udhëtuar për të mbrojtur rezultatin e ndeshjes së parë. Por trajneri Mikel Arteta ka përmendur fitore të re. Sipas Artetas, skuadra duhet të ketë guxim, të jetë dominante dhe e bindur se mund të jetë më e mirë se skuadra vendase.
I pyetur për besimin te Madridi që mund të përmbysin rezultatin, Arteta ka thënë: “Është pjesë e historisë së këtij klubi dhe madrilenët e meritojnë të drejtën për të folur për skenarë të tillë. Qasja jonë është se kemi shansin më të mirë që të jemi më të mirë se madrilenët. Është entuziazmuese. Nuk e kemi fituar asnjëherë garën dhe po provojmë të bëjmë diçka të madhe”.
Të mërkurën prej orës 21:00 është edhe çerekfinalja mes Interit dhe Bayernit.
Interi është në situatë më të mirë. Pos që do ta ketë përkrahjen e tifozëve, ka epërsinë e një goli nga ndeshja në Munih. Në Gjermani, skuadra italiane kishte fituar 2:1.
“Ndonjëherë këto mund të jenë mbrëmjet më të veçanta. Besimi ekziston. Në fund të fundit ne vetëm duhet të fitojmë një ndeshje. Ne gjithmonë luajmë për të fituar. Shpresojmë se do të jetë një mbrëmje e veçantë për tifozët tanë. Janë dy ekipe me shumë përvojë dhe të gjithë lojtarët e dinë rëndësinë e ndeshjes”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.
Trajneri i Interit, Simone Inzaghi është i vetëdijshëm që skuadrën e tij e pret ndeshje e vështirë. Inzaghi ka thënë se duhet të harrojnë ndeshjen e parë, por jo paraqitjen që kishin.
“Kemi top-kundërshtarë përballë. Na duhet ndeshje e madhe në kuptimin e vrapimit, agresivitetit dhe përkushtimit. Duhet të provojmë të luajmë si në Munih, që ta mbajmë topin sa më shumë të jetë e mundur. Do të jetë edhe më vështirë në ndeshjen e kthimit, pasi bavarezët bëjnë shumë presion në kundërshtarët”, ka thënë Inzaghi.