Lyoni ishte duke rënë nga elita e futbollit francez, por është kthyer fuqishëm dhe tani kërkon një vend që dërgon në garat e UEFA-s në edicionin tjetër.
Lyoni, që aktualisht zë vendin e dhjetë me 38 pikë, në xhiron e 29-të të Ligue 1 të Francës, luan kundër Brestit në shtëpi, të dielën nga ora 20:45.
Bresti është në vendin e dytë me 53 pikë. Kjo është kryendeshja e fundjavës në Francë.
Gjysmëfinalisti i Ligës së Kampionëve në vitin 2020 dhe shtatë herë kampioni i Francës, Lyoni, në dhjetor kishte vetëm shtatë pikë nga 14 ndeshje të luajtura.
Më pas, trajneri i akademisë, Pierre Sage, e kishte marrë drejtimin në vend të Fabio Grossos.
44-vjeçari Sage, që asnjëherë nuk kishte luajtur në nivel të lartë dhe nuk kishte drejtuar asnjë skuadër seniore, i humbi dy ndeshjet e para në krye të ekipit.
Më pas, Lyoni u kthye me 10 fitore, një barazim dhe tri disfata në 14 ndeshjet e fundit.
Lyoni është edhe në finale të Kupës së Francës dhe e ka mundësinë që ta fitojë trofeun e parë që prej vitit 2012.
Lyoni do të ballafaqohet me Paris Saint-Germainin më 25 maj. Finalja e Kupës luhet në stadiumin e Lillet.
PSG-ja ndërkohë, bashkë me Lillen dhe Marseillen, nuk do të luajnë në këtë fundjavë për shkak të angazhimeve në garat e UEFA-s.
Ndeshjet Lorient – PSG, Monaco – Lille dhe Marseille – Nice, janë caktuar të luhen më 24 prill.