Paris Saint-Germaini nuk do të ngutet për të blerë futbollistë, pavarësisht lëndimit të sulmuesit Gonçalo Ramos, ka thënë të enjten Luis Enrique. Ramosi e lëndoi nyjën e këmbës në fitoren 4:1 të vikendit të kaluar në udhëtim te Le Havre.
Pritet të mungojë deri në tre muaj.
Ai vlerësohej si sulmuesi ideal për ta zëvendësuar Kylian Mbappen, që u transferua te Real Madridi.
“Nuk është mirë kur e humb një lojtar, por kjo nuk ndryshon asgjë. Kemi ekip të mirë dhe kam besim në gjithë futbollistët”, ka thënë Luis Enrique të enjten në konferencën për shtyp, para ndeshjes kundër Montpellierit.
PSG – Montpellier luhet të premten nga ora 20:45, dhe i takon xhiros së dytë të elitës së futbollit francez.
“Ne tashmë kemi skuadër që e ka fituar ligën dhe po shikojmë lojtarë, por do të shohim nëse mund ta transferojmë ndonjë futbollist me çmim normal. Nëse shifrat e transferimit janë të çmendura, nuk do ta transferojmë askënd. Nuk do të ngutemi”, ka theksuar Luis Enrique.
PSG-ja në edicion e kaluar fitoi ndaj Montpellierit 3:0 në “Parkun e Princave”, ndërsa 6:2 triumfoi në udhëtim.
Por, tekniku spanjoll nuk pret ndeshje të lehtë.