Përzgjedhësi i Rumanisë në futboll, Mircea Lucescu, në konferencë për media tha se do të dëshironte që tifozët rumunë të mos mendojnë se një fitore me Kosovën në Ligën e Kombeve do të ishte e lehtë. Ai ka thënë se Kosova ka dëshmuar se mund ta mposhtë çdo kundërshtar.
Lucescu ka theksuar se Kosova ka lojtarë cilësorë që luajnë në ekipe të mira në Evropë.
Ai ka insistuar se nuk do ta kenë të lehtë ndeshjen kundër “Dardanëve”. Ndeshja Rumani – Kosovë luhet të premten nga ora 20:45” në “Arenën Kombëtare” të Bukureshtit. I takon Grupit C2 të Ligës së Kombeve. Rumania kryeson me 12 pikë e ndjekur nga Kosova me nëntë pikë. Qiproja ka tri pikë, derisa Lituania e fundit pa pikë.
“Shpresoj të mos bëni shaka me Kosovën. Kosova është një ekip i jashtëzakonshëm që mund të fitojë ndaj çdo skuadre. Ata kanë lojtarë që zhvillohen në ekipe të mëdha në Evropën Perëndimore. Se nuk arritën të krijojnë një grup të fortë për shkak të shpërndarjes së tyre në vende të ndryshme, nuk do të thotë se nuk janë një ekip i mirë. Nuk ka më dallime, vetëm ne imagjinojmë. Lituania, për shembull, kishte 6-7 lojtarë që paraqiten në kampionate shumë të forta. Qiproja po ashtu, 4-5 lojtarë në kampionate të forta. Pra, nuk është si më parë. Fëmijët largohen herët nga vendet e tyre, shkojnë në akademitë e mëdha dhe më pas kthehen të luajnë për ekipet e tyre kombëtare. Nuk do të doja që njerëzit të mendojnë se është kaq e lehtë. Është shumë e vështirë. Çdo ndeshje është jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë Lucescu në konferencë për media.
Legjenda rumune e futbollit ka kërkuar angazhim maksimal nga lojtarët e tij. Sipas tij, fitorja ndaj Kosovës do t’u jepte lojtarëve besim të madh për ndeshjet e ardhshme.
“Arritëm të marrim lojtarë jashtëzakonisht të motivuar dhe vetëmohues. Duhet të kalojmë lehtësisht në një fazë tjetër, të kontrollit të lojës nëse duam të përballemi me skuadrat e mëdha të botës dhe Evropës. Nuk mund të qëndrojmë në të njëjtin nivel. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që ta fitojmë këtë ndeshje, sepse të jep shumë besim. Për të kontrolluar lojën duhet një besim i jashtëzakonshëm i lojtarëve te vetja”, ka shtuar Lucescu.
Krah Lucescut në konferencë ishte edhe Valentin Mihaila. Sulmuesi i huazuar te Parma nga Atalanta, uron që ndeshja kundër Kosovës të kalojë pa incidente.
Ka pasur thirrje të vazhdueshme nga kampi i Rumanisë në drejtim të tifozëve të rumunë për të shmangur thirrjet dhe shfaqjen e pankartave anti-Kosovë.
Kosova dhe Rumania janë përballur tri herë. Dhe të tri ndeshjet janë përcjellë me incidente.
Vitin e kaluar në Bukuresht ndeshja u ndërpre për 50 minuta, pasi tifozët rumunë shfaqën panon “Kosova është Serbi” dhe bënë thirrje të njëjta. Lojtarët e Kosovës reaguan dhe ndeshja u ndërpre deri në heqjen e panos provokuese.
UEFA nuk i toleron mesazhet politike e diskriminuese në ndeshje futbolli. Nuk toleron edhe shumë shkelje që bëhen në tribuna.
“Do të jetë kënaqësi të luash me një stadium plot. Shpresoj të jetë plot për të na përkrahur dhe ne për t’i bërë të lumtur ata në fund. Natyrisht, nuk duam asnjë incident në këtë ndeshje. Ka pasur incidente në të kaluarën, por shpresojmë të mos ndodhë asgjë dhe të jetë një ndeshje e qetë. Është normale që stadiumi të jetë plot, rezultatet tërheqin shikues. Prej disa vitesh besimi është shfaqur në këtë grup, pasi më parë nuk mendonim se mund ta fitonim grupin. Këtë e pamë nga kualifikimet në Euro dhe më pas në këtë grup”, ka theksuar Mihaila.
Rumania e fitoi ndeshjen e parë në Prishtinë me rezultat 3:0. Kosovës i duhet fitore më e thellë se 3:0 për ta fituar grupin dhe të avancojë në Ligën B të Ligës së Kombeve.