Futboll

Lotët e Qëndresës pas finales së Kupës zvicerane

Qëndresa Krasniqi

Qëndresa Krasniqi

Pasi kaloi vijën anësore, Qëndresa Krasniqi shpërtheu në lot. Pak para se të zëvendësohej në minutën e 83-të, ylli i Baselit, Krasniqi, humbi rastin e dytë të madh në ndeshjen finale të Kupës së Zvicrës në futboll.

Rastin e parë të madh për të kaluar Baselin në epërsi e kishte që në minutën e parë. Por ajo nuk goditi topin siç duhet, kur ishte përballë portës së zbrazët. Topi kaloi pranë portës. Dhe kështu rastet e humbura nga Krasniqi dhe lojtaret tjera i kushtuan Baselit me humbje 1:0 nga Zurichu në finalen e luajtur në “Letzigrund” para rreth 9000 shikuesve, të shtunën.

“Ka qenë një prej momenteve më të rënda që kam përjetuar deri tash në karrierë”, thotë Krasniqi për KOHËN të hënën.

Futbollistja 30-vjeçare kishte ndeshje pozitive në përgjithësi. Por rastet e humbura, e sidomos lotët pas ndeshjes u bën lajm në mediat zvicerane.

“Kam qenë shumë e motivuar të luaj mirë dhe të ndihmoj ekipin. Kam luajtur mirë gjatë gjithë lojës dhe ato raste as vet nuk e kam menduar që nuk do t’i finalizoja. Jo vetëm unë, por edhe lojtaret tjera kemi pasur raste të mira për gol. Por e shtuna ishte ditë pa fat. Ky është futbolli. Ndonjëherë nuk fiton më i miri”, është shprehur Qëndresa Krasniqi.

Videoja e shpërthimit të Qëndresës në lot emocionoi shumë njerëz. Kishte edhe prej atyre që kishin kritika për rastet e humbura. Baseli humbi mundësinë për të fituar për herë të dytë Kupën e Zvicrës, pas trofeut të vitit 2014.

“Ka njerëz që kanë shkruar komente negative, por për mua nuk kanë asnjë pikë rëndësie. Njerëzit që kuptojnë dhe e duan futbollin me zemër si unë, mund të më kuptojnë. Ata lotë më bëjnë mua më të fortë. Do të vazhdoj të punoj për të bërë krenare familjen time dhe njerëzit që më kanë përkrahur deri sot”, ka theksuar reprezentuesja e Shqipërisë.

Jo të gjithë e kritikuan Krasniqin. Ajo hasi përkrahje të madhe. Sidomos nga klubi ku vlerësohet shumë. Ajo falënderon stafin dhe lojtaret e Baselit për përkrahje.

“Përkrahjen e kam pasur nga dita e parë që kam ardhur në Basel. Edhe të shtunën kam gjetur mbështetjen. Kam marrë mesazhe prej trajneres dhe lojtareve. E vlerësoj shumë dhe kjo është arsyeja që më bën të punoj edhe më shumë për të arritur qëllimin të bëhemi kampionë dhe të paraqitemi në Ligën e Kampionëve”, ka theksuar lojtarja ofenzive.

Në fillim të vitit të kaluar, Qëndresa Krasniqi te Baseli zviceran u transferua nga EP-Hajvalia, ndërsa ka kontratë deri në vitin 2026. Për Baselin këtë edicion ka shënuar katër gola.

Krasniqi si e re është vlerësuar me potencial shumë të madh. Ajo ka luajtur edhe për Vllazninë e Shkodrës.

Është futbolliste e rregullt e Shqipërisë, ndërsa më herët disa ndeshje i ka zhvilluar edhe për Kosovën.

“Ju e njihni Qëndresën. Qysh e vogël e dini rëndësinë që ka pasur futbolli në jetën time. E dini se me çfarë përkushtimi të madh kam dhënë gjithçka për futbollin. Ata lot kanë rrjedhur nga dëshira e madhe për të fituar atë ndeshje, sepse e kemi merituar fitoren. Kemi dominuar plotësisht”, ka thënë Krasniqi, e cila mban numrin dhjetë. Dhjetëshen te Baseli e mban edhe Xherdan Shaqiri. Shaqiri me Baselin janë në garë për titull. Titullin me Baselin e synon edhe Qëndresa.

“Besoj shumë që në fund do të festojmë së bashku. Kemi pasur shumë sfida gjatë rrugës dhe nuk jemi dorëzuar. Me Xherdanin jemi takuar, pasi stërvitemi në të njëjtin vend. Kemi pasur bisedë të thjeshtë. Më ka pyetur se si po më shkon këtu dhe unë e vlerësoj shumë”, thotë Krasniqi.

Ajo dhe lojtaret tjera të Baselit duhet ta harrojnë sa më parë disfatën nga Zurichu.

Kampionati ka hyrë në fazën më të rëndësishme. Pasi mbylli sezonin e rregullt në vendin e dytë, Baseli do të përballet me Aaraun në çerekfinalen e plejofit.

Kundër kësaj skuadre, futbollistet e Baselit dinë shumë më mirë se si të fitojnë. Dhe ndoshta ky edicion do të jetë i duhuri për titull të kampionit.

VIDEO: