Borussia Dortmundi luajti ndeshje me dyer të mbyllura të shtunën, një javë para finales së Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit në “Wembley”. Edhe pse me dyer të mbyllura, këngëtarja shqiptare Loredana Zefi kishte qasje në stadium për ta parë të dashurin e saj, Karim Adeyemi. Dhe ishte e vetmja, së bashku me shokun e Adeyemit, raporton “Bild”.
Kundërshtar i Dortmundit ishte ekipi i U23, që garon në kategorinë e tretë të futbollit në Gjermani.
Loredana po i jepte mbështetje Adeyemit nga shkallët e stadiumit, në ndeshjen në të cilën nuk u lejua as prezenca e mediave.
28-vjeçarja ishte në humor të mirë, pasi përshëndeti fotografët që ishin jashtë stadiumit.
Adeyemi u zëvendësua pas pjesës së parë. Kaq ishte edhe për Loredanën, e cila u largua nga stadiumi me Mercedes të bardhë pas 45 minutave.
Lidhja e Adeyemit me Loredanën ishte kritikuar në fillim të sezonit, pasi lojtari gjerman nuk po gjente formën e duhur. Megjithatë, në pjesën e dytë të sezonit 22-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën verdhezi.