Futboll

Lojtarët që nuk i munguan Kosovës në asnjë garë zyrtare

lojtart

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do ta nisë rrugën drejt Botërorit 2026 kundër Zvicrës më 5 shtator 2025. Do të jetë gara e nëntë zyrtare, përkatësisht kampanja e nëntë për Kosovën pas pranimit në UEFA dhe FIFA. 

Me shumë gjasë kampanja e nëntë do të jetë edhe për Amir Rrahmanin, Milot Rashicën, Valon Berishën, Vedat Muriqin, Fidan Alitin dhe Visar Bekajn. 

Këta gjashtë lojtarë janë të vetmit nga ekipi aktual i “Dardanëve” që nuk i kanë munguar Kosovës në asnjë cikël kualifikues apo fazë grupore të organizuar nga UEFA dhe FIFA, përfshirë kualifikimet e Kupës së Botës, Evropianit dhe ndeshjet e Ligës së Kombeve.

“Sa më shumë ndeshje së bashku, aq më mirë për Kosovën. Nuk do të ishtë asgjë më mirë për ne që jemi nga fillimi në kombëtare, se të arrijmë të kualifikohemi në një ngjarje të madhe”, ka thënë Valon Berisha për KOHËN të martën.

Edhe drejtori i përfaqësueses, Muharrem Sahiti, thotë se është e rëndësishme që Kosova ka lojtarë që në vazhdimësi kanë luajtur së bashku për shumë vjet.

“Sa më shumë, aq më mirë. Tashmë të gjithë gjashtë lojtarët kanë përvojën, pa anashkaluar të tjerët. Kosova është në grup shumë të vështirë, por duke u bazuar pikërisht në përvojën e fituar nga lojtarët, e cila më nuk mungon, pse mos të mendojmë apo ëndërrojmë kualifikimin. Këtë e bazoj se sa herë që kemi qenë komplet, kemi marrë rezultate pozitive. Ndeshjet e ciklit të ri i luajmë në shtator e tutje, por besoj se do të vazhdojnë me këtë formë. Shpesh përmendet ndeshja kundër Maqedonisë së Veriut. Por shumica e këtyre lojtarëve na kanë munguar në atë ndeshje. Këta lojtarë kanë arritur një moshë dhe duan që të hyjnë në histori të Kosovës”, ka thënë Sahiti të martën për KOHËN.

Ndeshja e parë kualifikuese e Kosovës ishte më 5 shtator 2016 në Turku. Valon Berisha e pati shënuar golin nga penalltia për Kosovën që luajti 1:1 me Finlandën vendëse. 

Kosova e pati mbyllur e fundit ciklin e parë kualifikues, me vetëm një pikë.

Më pas “Dardanët” zhvilluan një cikël të suksesshëm në Ligën D të Ligës së Kombeve. Ishte edicioni i parë i Ligës së Kombeve. Kosova e fitoi grupin e saj dhe u ngjit në Ligën C. Dhe sërish gjashtë lojtarët nuk munguan, ashtu si edhe në kualifikimet për Euro 2020. Sërish Kosova nuk arriti atë që deshi – kualifikimin.

I pasuksesshëm për Kosovën ishte edicioni i dytë i Ligës së Kombeve. Përfundoi e treta në grupin e saj, ndonëse përvoja e lojtarëve të Kosovës në ndeshje ndërkombëtare sa shkonte e rritej. 

Tjetër kampanjë dëshpëruese ishte edhe ajo e Kupës së Botës 2022. Pa arritur qëllimin e mbylli edhe edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Por, sërish Rrahmani, Rashica, Berisha, Muriqi, Aliti e Bekaj ishin pjesë e ekipit. 

“Dardanët” të parafundit në grup e mbyllën ciklin kualifikues për “Euro 2024”. 

Në mars Kosova do t’i luajë dy ndeshjet e plejofit kundër Islandës, pasi edicionin e katërt të Ligës së Kombeve përkatësisht garën e Grupit 2 e mbylli në vendin e dytë. 

“Para fillimit të këtij cikli synim ishte kualifikimi. Por nisëm keq, me humbje ndaj Rumanisë. Nuk mund të them që është maksimumi, por grupi i lojtarëve po përmirësohet. Duhet të vazhdojmë këtë ritëm”, pati thënë në nëntor Muriqi, ndër të tjera. 

Muriqi është golashënuesi më i mirë i Kosovës me 28 gola në 56 ndeshje. Lojtari me më së shumti paraqitje për “Dardanët” është Amir Rrahmani. Mbrojtësi i Napolit është kapiten i “Dardanëve”. Pas Rrahmanit me më së shumti paraqitje janë Milot Rashica dhe Fidan Aliti. Kanë luajtur nga 57 ndeshje, kurse Valon Berisha i ka zhvilluar 45 ndeshje. Nga gjashtë lojtarët e grumbulluar rregullisht, më së paku ndeshje ka portieri Visar Bekaj. Bekaj për Kosovën i ka tetë ndeshje.