Futboll

Llapi synon ta ndalë hovin e Suharekës

Llapi

Ndonëse debutuese, Suhareka ka nisur vrullshëm garën në Superligën e Kosovës në futboll. Pas xhiros së gjashtë, Suhareka është lidere me 13 pikë, sa i ka edhe Malisheva në vendin e dytë. Por ekipi i ri suharekas ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së tretë ndaj Dritës.

Ndeshja me Dritën do të jetë derbi, por i tillë është edhe takimi  Llapi – Suhareka, që e hap javën e shtatë të Superligës. Kjo ndeshje zhvillohet të premten prej orës 15:00 në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Llapi po ashtu është në moment të mirë dhe renditet i pesti me 10 pikë.

Suhareka e nisi kampionatin me barazim pa gola në udhëtim te Prishtina. Më pas rreshtoi fitoret: 3:1 ndaj Dukagjinit, 3:2 ndaj Gjilanit,  1:0 ndaj Ferizajt dhe 2:0 ndaj Feronikelit 74.

Formë të lartë në këto ndeshje ka treguar Mevlan Zeka. Ai është realizatori më i mirë në Superligë me pesë gola.

Kapiteni i suharekasve pret ndeshje të vështirë në Podujevë. Ai është i matur para derbit.

“Kemi filluar kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme. Skuadra është në formë shumë të mirë, ndërsa edhe personalisht po kaloj formë të mirë. Fokusin tani e kemi te ndeshja me Llapin. E dimë se Llapi ka skuadër të mirë dhe cilësore. E kemi analizuar kundërshtarin në çdo repart dhe nesër presim që të zhvillojmë ndeshje të mirë dhe le të fitojë më i miri. Besoj shumë te grupi që nesër do të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë Zeka të enjten për KOHËN.

Ai udhëhoqi Suharekën drejt inkuadrimit në Superligë dhe tani po e udhëheq edhe në elitë.

Llapi ka shumë vjet që nuk i ndahet pjesës së epërme të tabelës në Superligë. Trajneri Tahir Batatina edhe për këtë edicion ka formuar skuadër konkurrente që pritet ta kërkojë titullin deri në fund.
Batatina ndaj Suharekës kthehet në stol pasi e kaloi suspendimin. Ai foli me respekt për trajnerin e Suharekës, Shpëtim Duro.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë për ne. Kemi të bëjmë me lideren e Superligës, me një skuadër me organizim të mirë, me lojtarë shumë cilësorë dhe një trajner të dëshmuar me vite në futbollin shqiptar, që bëri histori edhe me Strugën duke e shpallur kampione. Do ta kemi përballë kundërshtarin më të vështirë deri më tani”, ka thënë Batatina.

Llapi e nisi edicionin me barazim 1:1 ndaj Gjilanit. Më pas fitoi 2:0 ndaj Feronikelit 74, kurse në xhiron e tretë u befasua nga Malisheva duke pësuar 1:0 në Podujevë. Humbi më pas edhe nga Prishtina, 3:2, por u kthye me fitore 1:0 ndaj Dritës në derbi. Së fundi fitoi 1:0 ndaj Ferizajt në udhëtim.

“Jemi shumë të motivuar si skuadër. Kemi kapur ritmin e duhur të lojës dhe kemi gjetur formën e mirë si ekip. Llapi po luan lojë ekipore dhe kjo më bën të besoj te suksesi në vazhdimësi. Por, e përsëris, na pret një ndeshje shumë e fortë me lideren”, ka shtuar Batatina.

Të shtunën janë ndeshjet Ballkani – Ferizaj e Dukagjini - Drita. Ndërkohë të dielën janë takimet Gjilani – Prishtina dhe Feronikeli 74 – Malisheva.