Futboll

Llapi kthehet nga Polonia me disfatë nga Wisla Krakow

KF Llapi

Llapi është mposhtur në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Evropës dhe e ka rrezikuar avancimin në raundin e dytë të kësaj gare. 

Llapjanët e drejtuar nga trajneri Tahir Batatina u mposhtën në udhëtim te Wisla Krakowi 2:0 të enjten mbrëma. 
Wisla Krakow është skuadër e kategorisë së dytë të futbollit të Polonisë, por fituese e Kupës shtetërore në edicionin e kaluar dhe ka histori të pasur me trofe. 

Pas krizës që e pati, ka rënë në kategorinë e dytë. 

Llapi, megjithatë, u mposht me golat e minutës së dytë dhe të 95-të. Megjithatë, ka ende shpresa për t’u kualifikuar tutje. 

Igor Sapala shënoi për epërsinë 1:0 të polakëve me gjuajtje të fuqishme dhe e mposhti portierin Ilir Avdyli. 

Sulmuesi spanjoll, Angel Rodado, shënoi për 2:0 në minutën e pestë të kohës shtesë. 

Ndeshja kthyese e këtij ballafaqimi do të luhet më 18 korrik në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Për Llapin kjo është paraqitja e tretë në Evropë. Në dy paraqitjet e para në kualifikimet e Ligës së Konferencës nuk pati sukses. 

Në edicionin 2021-2022 u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe u eliminua nga Shkupi. 

Në të njëjtin raund, në edicionin 2022-2023, llapjanët ishin eliminuar nga Buduqnosti i Podgoricës.


Llapi në disavantazh ndaj Wislas

Llapi është duke humbur 1:0 nga Wisla Krakowi pas pjesës së parë, në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Evropës. 

Igor Sapala shënoi që në minutën e dytë me gjuajtje të fuqishme në portën e portierit Ilir Avdyli. 

Wisla Krakow është skuadër me histori të madhe në Poloni, por aktualisht bën gara në kategorinë e dytë të futbollit polak. 

Është fitues i Kupës së Polonisë. 

Ndeshja kthyese luhet pas një jave.