Te Llapi kanë bindjen se Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, të cilin e drejton kryetari Agim Ademi, ka marrë vendim për ndeshjen Malisheva – Llapi. Por drejtuesit e klubit nga Podujeva deri tash nuk kanë marrë përgjigje nëse është refuzuar apo aprovuar ankesa e tyre.
Llapi kishte kërkuar pikët në tavolinë nga ndeshja me Malishevën, pasi pretendonte se Rilind Haziraj ishte inkuadruar te Malisheva pa të drejtë loje.
Komisioni për Ankesa, përkatësisht shkalla e dytë, i dha të drejtë Komisionit të Garave, i cili kishte hedhur poshtë ankesën e llapjanëve, duke e cilësuar të “paafatshme”. Ndeshjen e zhvilluar më 13 mars, komisioni i garave e regjistroi me rezultatin e arritur në fushë, 2:1.
Pra fitorja, sipas FFK-së, i takon Malishevës. Por llapjanët besojnë se e drejta është në anën e tyre.
“Pas ankesës së refuzuar në Shkallën e Dytë, ne i jemi drejtuar me ankesë Komitetit Ekzekutiv. Ne jemi në pritje të vendimit final të tij, pasi Komiteti është mbledhur por ne ende nuk jemi njoftuar zyrtarisht në lidhje me vendimin final. Presim që ditëve në vijim Komiteti Ekzekutiv të na njoftoj me përgjigjen pasi që një vendim mbi ndeshjen besojmë se duhet të jetë marrë, përndryshe ne duam ta vazhdojmë të drejtën që na takon për ankesë edhe më tutje deri në instancat më të larta”, ka thënë sekretari i Llapit, Muhamet Rexhepi.
KOHA nuk ka marrë përgjigje në pyetjet e drejtuara Federatës së Futbollit të Kosovës në fund të javës së kaluar për këtë çështje. Për tema si kjo, FFK-ja nuk përgjigjet asnjëherë.
Edhe në të kaluarën pak vendime të marra nga KE e FFK-së janë publikuar në faqen zyrtare të Federatës.