Futboll

Liverpooli pritet të festojë të dielën

Liverpool

Barazimi i Arsenalit me Crystal Palacen të mërkurën, i mundëson Liverpoolit që të shpresojë ta fitojë titullin e kampionit në Angli këtë fundjavë.

Liverpoolit i duhet vetëm një pikë për ta siguruar titullin e kampionit në Premier League.

Këtë pikë mund ta fitojë të dielën, por Liverpoolin e pret ndeshje e vështirë.

“Të kuqtë” nga ora 17:30 e presin Tottenham Hotspurin në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-t të Premier Leagues.

Skuadra e Arne Slot do të luajë për fitore, por edhe me barazim feston titullin bashkë me tifozët në “Anfield”.

Tottenhami është pa fitore në stadiumin ikonik që nga viti 2011.

Liverpooli titullin e fundit në elitën angleze e fitoi në edicionin 2019/20 nën drejtimin e Jurgen Kloppit.

Liverpooli është mposhtur vetëm dy herë këtë edicion në kampionatin anglez.

Është lider me 79 pikë nga 33 ndeshje. Ka 12 pikë më shumë se Arsenali që është në vendin e dytë dhe ka luajtur tashmë ndeshjen e xhiros së 34-t. Pas kësaj xhiroje, janë edhe katër deri në përfundim të garës. 

Slot do të bëhet holandezi i parë që e fiton Premier Leaguen, ndërsa do të jetë vetëm trajneri i pestë që e fiton titullin në edicionin debutues, pas Jose Mourinhos, Carlo Ancelottit, Manuel Pellegrinit dhe Antonio Contes.

Liverpooli është i pamposhtur në 15 ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Tottenhamit në të gjitha garat.

Ndërkohë Tottenhami ka vetëm dy fitore nga 24 ndeshjet e fundit në Premier League ndaj Liverpoolit.

Në total, mes këtyre dy skuadrave janë zhvilluar 184 ndeshje.

Liverpooli prin me 90 fitore, Tottenhami ka 50 fitore dhe 44 herë ndeshja ka përfunduar baras.

Tottenhami ka dëshpëruar me rezultate këtë edicion.

Ka vetëm 37 pikë dhe renditet në pozitën e 16-të.

Skuadra e Ange Postecoglout është në gjysmëfinale të Ligës së Evropës ku do të përballet me Bodo/Glimtin.

Liverpooli është fare pranë titullit të 20-të të Anglisë. Do të barazohet me Manchester Unitedin si skuadrat më të suksesshme angleze.

Të dielën do të zhvillohet edhe një ndeshje e elitës angleze. Nga ora 15:00 takohen Bournemouthi e Manchester Unitedi.

Unitedi ka 38 pikë dhe e zë vendin e 14-të. Bournemouthi ka 49 pikë në pozitën e tetë.

Të shtunën do të luhen pesë ndeshje. Chelsea – Everton është takimi i orës 13:30.