Kristjan Asllani: Mëkat që nuk morëm një pikë
“E nisëm shumë keq, nuk mund t’i marrësh në shtëpi dy gola për dhjetë minuta. Shpresonim të mos shkonte kështu ndeshja. Kemi bërë një ndeshje shumë të keqe në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ndeshja ndryshoi. Donim tri pikë sonte, apo të paktën një pikë që mos të mbesim të fundit. Por futbolli është kështu. Kemi pasur shumë probleme në pjesën e parë. Ukrainasit ishin gjithnjë të lirë, kemi vrapuar gjithnjë bosh. Në pjesën e dytë kemi luajtur një kundër një dhe ata kishin frikë. Mëkat që nuk morën një pikë”, ka thënë Asllani.

Uzuni: Granada kërkoi të mos luaja, por vendosa të aktivizohem për të dëshmuar se e meritoj
“E kemi nisur ndeshjen shumë keq. Sot ishte fitorja detyrim dhe jemi të gjithë të mërzitur për humbjen. Unë jam sulmues dhe gjithnjë dua të shënoj. Te Granada i gjuaj penalltitë. Kam dashur të gjuaj penalltinë dhe të zhbllokohesha. Nuk jam i sigurt pse penalltinë e gjuajti Bajrami, më duket se ishte vendim i trajnerit. Sot dëshmova që mund të luaj në sulm. Ekipi i Granadës ka kërkuar të mos aktivizohem, pasi rrezikoj një lëndim që më mban jashtë dy-tre muaj. Por vendosa të luaj për të dëshmuar se e meritoj të luaj”, ka deklaruar Uzuni.
Arbër Hoxha: Provuam gjithçka, por nuk funksionoi
“Trajneri na motivojë shumë që në pjesën e dytë të futeshim me 100 për qind. Në pjesën e parë pësuam dy gola dhe morali ishte pak poshtë. Në pjesën e dytë shënuam nga penalltia, provuam gjithçka, por nuk shënuam dot. Sa herë futem në ndeshje do të jap 100 përqindëshin tim për Kombëtaren. Ne prezantojmë një komb këtu”, ka thënë Hoxha pas ndeshjes.
Shqipëria mposhtet nga Ukraina, bie në Ligën C
Një pjesë e dytë e mirë nuk i ka mjaftuar Shqipërisë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Të martën mbrëma në “Air Albania”, kuqezinjtë u mposhtën 2:1 në ndeshjen e fundit të edicionit të katërt të Ligës së Kombeve.
Humbja bëri që Shqipëria të bie në Ligën C për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Shqipërisë i duhej fitorja për të shpresuar për vendin e parë në grup. Por fitorja ishte larg dhe humbja bëri që kuqezinjtë të mbesin të fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve.
Shqipëria i ka shtatë pikë, sa edhe Gjeorgjia. Pasi bilanci në ndeshjet e ndërsjella është i barabartë, renditjen e vendosi goldallimi i përgjithshëm, ku Gjeorgjia qëndron më mirë.
Shqipëria nisi shumë keq ndeshjen, ndonëse po luante para tifozëëve të saj. Që në minutën e pestë Oleksandr Zinchenko shënoi për epërsinë 1:0 të Ukrainës.
Ukrainasit shfrytëzuan një vendosje të gabuar në mbrojtjen e Shqipërisë dhe realizuan golin e hershëm. Nuk vonoi shumë dhe Thomas Strakosha e pësoi edhe golin e dytë. Sërish një mbrojtje e keqe kushtoi shtrenjtë në minutën e dhjetë, kur shënoi Roman Yaremchuk për 2:0.
Shqipëria në pjesën e parë nuk bëri asgjë. Në minutën e 45-të goditje të rrezikshme bëri Ernest Muçi dhe kjo ishte e tëra.
Pjesa e dytë ishte krejt ndryshe. Nedim Bajrami hyri në vend të Jasir Asanit, ndërsa Myrto Uzuni në vend të Mirlind Dakut. Në minutën e 51-të Ernest Muçi la fushën për shkak të lëndimit dhe në vend të tij hyri Arbër Hoxha.
Ndryshimet dolën të qëlluara.
Uzuni siguroi penallti, të cilën në gol e shndërroi Nedim Bajrami në minutën e 75-të.
Shqipëria vazhdoi me sulme dhe kishte edhe disa raste tjera shënimi. Por pa e dërguar topin në rrjedhë. Dhe kështu fitorja i takoi Ukrainës, që përfundon e dyta në grup me tetë pikë. Grupin e fitoi Çekia me 11 pikë, që avancon në Ligën A për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.
Shqipëria kthehet në lojë, Bajrami ngushton rezultatin
Shqipëria është kthyer në lojë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Rezultatin në 2:1 e ngushtoi Nedim Bajrami, me goditje nga pika e bardhë në minutën e 75-të. Penalltin e siguroi Myrto Uzuni.
Lojë shumë e zbehtë e kuqezinjve, Ukraina udhëheq 2:0 pas pjesës së parë
Shqipëria kishte paraqitje shumë të zbehtë në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Ukrainës. Kuqezinjtë nuk kanë rrezikuar asnjëherë portën kundërshtare, deri në minutën e 45-të, kur provoi Ernest Muçi. Ndërkohë Shqipëria i ka pranuar dy gola.
Oleksandr Zinchenko shënoi që në minutën e pestë, ndërsa menjëherë në minutën e dhjetë Roman Yaremchuk shënoi për 2:0.
Shqipëria pëson golin e dytë
Shqipëria e ka pësuar edhe golin e dytë në ndeshjen ndaj Ukrainës.
Roman Yaremchuk shënoi në minutën e 10-të, duke shfrytëzuar tjetër vendosje të gabueshme në mbrojtjen kuqezi.
VIDEO:
⚽️ GOAL | 🇦🇱 Albania 0-2 Ukraine 🇺🇦 | Yaremchukpic.twitter.com/pRuRfgHe46
— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 19, 2024
Shokohet Shqipëria
Ukraina ka kaluar në epërsi të hershme ndaj Shqipërisë.
Oleksandr Zinchenko realizoi që në minutën e pestë për 1:0.
Ai shpalosi fanellën me numrin 1000, për të shënuar 1000 ditët prej se ka nisur pushtim rus i Ukrainës.
VIDEO:
⚽️ GOAL | 🇦🇱 Albania 0-1 Ukraine 🇺🇦 | Zinchenkopic.twitter.com/HZgdqKWETS
— Goals Xtra (@GoalsXtra) November 19, 2024
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë nis me një minutë heshtje
Ndeshja Shqipëri – Ukrainë ka nisur me një minutë heshtje në nderim të 14-vjeçarit Martin Cani, që u vra të hënën në Tiranë.
Daku i prin sulmit të Shqipërisë
Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, e ka publikuar formacionin për ndeshjen ndaj Ukrainës. Në vend të Indrit Tucit, aktivizohet nga minuta e parë Mirlind Daku, derisa luan edhe Jasir Asani.
Në sulm nga minuta e parë është edhe Ernest Muçi.
Mesfusha nuk ka ndryshime nga hera e kaluar. Luajnë Kristjan Asllani, Ylber Ramadani e Qazim Laçi.
Po ashtu reperati defensiv mbetet i njëjtë. Ivan Balliu luan në të djathtë, Mario Mitaj në majtë, ndërsa Ardian Ismajli e Arlind Ajeti janë në qendër.
Thomas Strakosha në portë.

Ndeshja Shqipëri – Ukrainë zhvillohet nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe i takon Grupit B1 të Ligës së Kombeve të UEFA-s.
Çekia është e para me tetë pikë, kurse nga një pikë më pak kanë Gjeorgjia dhe Shqipëria. Ukraina është e katërta me pesë pikë.
Fituesi i Grupit B1 do të paraqitet edicionin e ardhshëm në Ligën A të Ligës së Kombeve.
Në ndeshjen tjetër të Grupit përballen Çekia dhe Gjeorgjia. Edhe kjo ndeshje nis në ora 20:45.