Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kalimin në Ligën B, që është niveli i dytë i Ligës së Kombeve, “Dardanët” e siguruan të dielën mbrëma në Murcia të Spanjës.

Në ndeshjen e dytë të plejofit, të përzgjedhurit e Franco Fodas fituan 3:1 ndaj Islandës. Ndeshjen e parë të zhvilluar të enjten në “Fadil Vokrri”, Kosova e kishte fituar me rezultatin 2:1. Dhe me rezultatin e përgjithshëm 5:2, Kosova avancon nga Liga C në Ligën B.

Vedat Muriqi është më meritori për fitoren e Kosovës në Spanjë, vend ku sulmuesi edhe e zhvillon karrierën. 30-vjeçari realizoi “hat-trick” ndaj Islandës.

Ndeshja nisi keq për Kosovën. Që në minutën e dytë islandezët kaluan në epërsi 1:0. Orri Oskarsson shënoi nga afërsia pas një goditje nga këndi.

Kjo megjithatë nuk kishte shumë ndikim në lojën e Kosovës. Futbollistët e përzgjedhur nga Foda rreshtuan sulmet, ndërsa dominuan plotësisht në pjesën e parë. Në minutën e 35-të pas një depërtimi të Leart Paqaradës, topi erdhi në zonë te Muriqi. Ai shtyu para topin në rrjetë për 1:1.

Goli i dytë i Kosovës u shënua në momentin më të mirë të mundshëm, në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Muriqi shënoi këtë herë me asistim të Milot Rashicës.

Në pjesën e dytë Amir Shaipi bëri një pritje vendimtare e ndërkohë gjërat u bënë më të lehta për “Dardanët”.

Për kapje të Muriqit, me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 69-të u ndëshkua Aron Gunnarsson. Kështu Kosova kishte një lojtar më shumë në fushë dhe e shfrytëzoi këtë avantazh.

Për 3:1, sulmuesi prizrenas Muriqi shënoi në minutën e 79-të. Asistues ishte Lindon Emërllahu.

Islanda bie nga Liga B në Ligën C, ndërsa Kosova avancon për një nivel.

Kosova në tri edicionet e fundit ka garuar në Ligën C të Ligës së Kombeve. Në edicionin e parë ishte madje në Ligën D. Në edicionin e ardhshëm, 2026/2027 do të jetë në Ligën B.

Gallapeni flet pas debutimit me Kosovën: Ëndërr e bërë realitet

2 j. më parë / 23 mar 2025 22:34
Dion Gallapeni

Mbrojtësi i Prishtinës, Dion Gallapeni, ka thënë se, ka realizuar ëndrrën pas paraqitjes së parë me fanellën e Kosovës. Gallapeni u inkuadrua në minutën e 87-të në ndeshjen ndaj Islandës në ndeshjen kthyese të plejofit për Ligën B të Ligës së Kombeve.

Kosova fitoi 3:1 dhe edicionin e ardhshëm do të paraqitet në Ligën B.

“Është ëndërr e bërë realitet. Kjo kishte vlerë edhe më shumë, pasi kaluam në Ligën B. Pres dhe dua të jem edhe në të ardhmen pjesë e Kosovës. Shpresojmë të arrijmë diçka të madhe me kombëtaren”, ka thënë Gallapeni.

Muriqi flet pas “hat-trickut” ndaj Islandës

2 j. më parë / 23 mar 2025 22:25
Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, e ka vlerësuar fitoren ndaj Islandës, si një nga ditët më të bukura të karrierës së tij. Muriqi shënoi “hat-trick” në fitoren 3:1 ndaj Islandës në Murcia të Spanjës. 

“Jam shumë i kënaqur që kemi bërë arritje të jashtëzakonshme me Kosovën duke kaluar në Ligën B. Nuk ka ditë më të bukur se kjo për një sulmues. Tre gola për kualifikim, jam i lumtur, por nuk duhet të ndalemi me kaq.  I kemi treguar gjithë Evropës që jemi bërë një ari për kundërshtarin. Do të vazhdojmë punën tonë me shpirtin tonë luftarak. Kjo është arma jonë kryesore. Do të vazhdojmë me shpirtin luftarak. Kemi ndeshjet miqësore në qershor, pastaj do të vijnë kundërshtarë edhe më të vështirë, më të fortë se Islanda”, ka thënë Muriqi.

Sulmuesi i Mallorcas një gol ia ka dedikuar Atdhe Nuhiut, me të cilin për një periudhë ishin bashkëlojtar te Kosova. Nuhiu është ndihmës i selektorit, Franco Foda.

“Sot dhashë gol dhe përqafova Atdheun dhe ia dedikova atij golin”, është shprehur Muriqi.

Rrahmani: Sukses historik

2 j. më parë / 23 mar 2025 22:04
Amir Rrahmani

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, e ka vlerësuar sukses historik promovimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Ai ka deklaruar pas ndeshjes se rruga deri te Liga B e Ligës së Kombeve ka qenë e gjatë dhe e mundimshme. Por, suksesi i arritur të dielën, thotë Rrahmani, do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

“Sot ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme, një ndeshje historike, një fitore historike, për shkak se kemi arritur të shkojmë në Ligën B nga Liga D për shtatë vite, qëkur ekziston gara e Ligës së Kombeve. Jam shumë krenar me bashkëlojtarët e mi dhe shpresoj që të arrijmë suksese tjera. Besoj që kjo do të na motivojë sepse do të kemi më shumë vetëbesim dhe duhet t’i përmirësojmë ato gjërat e vogla që na kanë mbetur për shkak se kundërshtarët na nxjerrin pikët e dobëta. Kështu që shpresoj që do të shkojë mirë edhe në të ardhmen dhe besoj që kjo Kombëtare do të ketë rrugë shumë të mirë”, ka deklaruar Rrahmani.

Muriqi i pandalshëm, 3:1

2 j. më parë / 23 mar 2025 19:44
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi ka shënuar edhe golin e tretë në ndeshjen ndaj Islandës.

Sulmuesi e kompletoi hat-trickun në minutën e 79-të.

Kosova udhëheq 3:1 ndaj Islandës.

Islanda me një lojtar më pak në fushë

2 j. më parë / 23 mar 2025 19:32
Aron Gunnarsson

Gjërat po shkojnë në drejtimin të duhur për Kosovën në Murcia të Spanjës.

Në minutën e 69-të, Islanda mbeti me një lojtar më pak në fushë. Me kartonin e dytë të verdhë, për kapje të Vedat Muriqit, u ndëshkua Aron Gunnarsson.

Kosova vazhdon të udhëheq 2:1.

Muriqiiiiiii, Kosova në epërsi

2 j. më parë / 23 mar 2025 18:51
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi ka shënuar në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë për epërsinë 2:1 të Kosovës ndaj Islandës.

Rashica asistoi me një pasim nga distanca.

Me rezultatin 2;1 përfundoi pjesa e parë.

Barazon Kosova

2 j. më parë / 23 mar 2025 18:38
Muriqi

Kosova e ka barazuar rezultatin në ndeshjen ndaj Islandës.

Për 1:1 shënoi Vedat Muriqi në minutën e 35-të.

Kosova e kërkon golin e barazimit

2 j. më parë / 23 mar 2025 18:22
Islanda

Lojtarët e Kosovës janë duke sulmuar më shumë në ndeshjen me Islandën në Spanjë.

Ermal Krasniqi ka pasur rastin më të mirë, por goditi mbi portë. Dy goditje të pasakta i kishte edhe Milot Rashica.

Rezultati mbetet 1:0 për Islandën, ndërsa janë luajtur 20 minutat e parë.

Islanda në epërsi që në minutën e dytë

2 j. më parë / 23 mar 2025 18:05
Islanda

Islanda ka kaluar në epërsi ndaj Kosovës që në minutën e dytë. Oscarsson është realizator.

Intonohet himni i Kosovës në Murcia, çdo gjë gati për ndeshje

2 j. më parë / 23 mar 2025 17:58
kosova

Në Murcia të Spanjës është intonuar himni i Kosovës në prag të ndeshjes me Islandën.

Gjatë ditës ka pasur telashe me mënyrën e prezantimit të simboleve të Kosovës, por FFK-ja ka publikuar fotografi ku shihet “Kosova” e shkruar drejt e po ashtu flamuri i paraqitur si duhet.

Ndeshja fillon në ora 18:00.