Barça në festë, fiton Kupën e Mbretit ndaj “Mbretërve”
Barcelona e ka fituar Kupën e Mbretit. Barça e fitoi superfinalen dramatike ndaj Real Madridit me rezultatin 3:2 pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.
Joules Kounde realizoi gol në minutën e 116-të për festën e madhe të lojtarëve dhe tifozëve të gjigantit katalunas. Francezi Kounde realizoi për 3:2.
Koha e rregullt përfundoi baras 2:2.
Pedri e kaloi në epërsi Barçën në minutën e 28-të me supergolin që e shënoi nga distanca.
Kylian Mbappe i barazoi shifrat në minutën e 70-të. Ai realizoi gol të bukur nga goditja e dënimit.
Shtatë minuta më pas, Aurelien Tchouameni, i kaloi në epërsi “Mbretërit”. Gëzimi i madrilenëve nuk zgjati shumë pasi Ferran Torres e barazoi rezultatin në 2:2.
Krejt në fund të ndeshjes pati edhe tensione. Antonio Rudiger u ndëshkua me karton të kuq edhe pse s'ishte në fushë.
Është hera e 32-të që Barcelona fitoi këtë trofe. Këtë sezon ka fituar edhe Superkupën e Spanjës. Edhe aty në finale mposhti Realin.
Reali ndërkohë pos kësaj kupe, është eliminuar edhe në Ligën e Kampionëve.
Barça prin edhe në La Liga, ndërsa në mesjavë luan në gjysmëfinale të “Championsit” me Interin.
Kounde “bombardon” Realin, Barça në prag të triumfit
Jules Kounde ka realizuar supergol për ta kaluar Barcelonën në epërsi në fund të vazhdimeve të finales së Kupës së Mbretit.
Ai shënoi në minutën e 116-të për 3:2.
Superfinalja shkon në vazhdime
Ka shkuar në vazhdime finalja ndërmjet Barçës dhe Realit. Koha e rregullt përfundoi baras 2:2.
Fundi u përcoll me shumë dramë pasi gjyqtari fillimisht akordoi penallti për Barcelonën para se ta anulonte pas rishikimit me VAR
Barça ringjallet, barazon Torres
Barcelona i ka barazuar shifrat ndaj Realit.
Ferran Torres realizoi për 2:2 në minutën e 84-t.
Reali përmbys gjithçka për pak minuta
Real Madridi e ka përmbysur rezultatin ndaj Barçës për vetëm 7 minuta.
Për 2:1 realizoi Aurelien Tchouameni në minutën e 77-të.
Reali barazon me supergol të Mbappes
Kylian Mbappe ka realizuar supergol nga goditja e dënimit për t’i barazuar shifrat.
Mbappe realizoi për 1:1 në minutën e 70-të.
Supergoli i Pedrit e vendos pjesën e parë
Supergoli i Pedrit e ka vendosur pjesën e parë ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit.
Barça po avancon 1:0 ndaj Realit.
Pedri e realizoi golin e epërsisë për Barçën në minutën e 28-të.
Nis ndeshja
Ka nisur “El Clasico” e shumëpritur në finalen e Kupës së Mbretit. Barcelona e Reali luftojnë në ndeshjen që tejkalon rivalitetin vetëm për një trofe.
Teksa Barcelona është në garë për të gjithë trofetë dhe prin mbi Realin edhe në ligë, Reali tashmë është eliminuar nga Championsi dhe synon ta ndalojë suksesin e Barçës së Hansi Flickut.
Barcelona publikon formacionin për “El Clasico”
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e ka publikuar formacionin zyrtar për ndeshjen me Real Madridin.
Barça dhe Reali nga ora 22:00 ballafaqohen në finalen e Kupës së Mbretit.
Raphinha, Ferran Torres e Lamine Yamal i prijnë sulmit të Barçës.

Reali publikon formacionin
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Barcelonës.
Reali dhe Barça nga ora 22:00 ballafaqohen në finalen e Kupës së Mbretit.
Mbappe është lënë në bankën rezervë.

Ancelotti mund të bëhet trajneri me më së shumti trofe në historinë e Realit
Trofeu i Kupës së Mbretit ishte ai i cili ia hapi rrugën trajnerit Carlo Ancelotti për suksese të shumta me Real Madridin në vitin 2014.
Nëntë vjet më vonë, ai e arriti suksesin e dytë në këtë garë, me triumfin e vitit 2023.
Tani në vitin 2025, ai synon të bëhet trajneri i parë i Real Madridit që e fiton këtë trofe tre herë.
Do ta kalonte trajnerin Paco Bru (1934, 1936), Miguel Munoz (1962, 1970), dhe Luis Molowny (1974, 1982).
Hansi Flick, eksperti i finaleve
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e ka shansin ta fitojë trofeun e dytë me Barcelonën.
Ai është në garë për të triumfuar edhe në La Liga, ndërsa është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Tekniku gjerman e fitoi trofeun e parë si trajner i Barcelonës në janar të këtij viti, pas triumfit 5:2 në finalen e Superkupës së Spanjës.
Në karrierën e tij si trajner, Flick vlerësohet si specialist i finaleve. Ai i ka fituar gjitha pesë finalet në të cilat ka luajtur me Bayern Munichun. Nuk e lëshoi rastin as në mundësinë e parë që iu dha te Barcelona.
Kundër trajnerit të Real Madridit, Carlo Ancelotti, Flick i ka fituar dy përballjet e para në “El Clasico”.
Skuadra e tij i ka shënuar nëntë gola në dy ndeshje, ndërsa i ka pranuar vetëm dy gola.
Në Sevilla po këndohet për “vdekjen e Viniciusit”
Tifozët e Barcelonës kanë kënduar në kor këngë kundër Viniciusit, të cilat janë nuk kanë qenë aspak të mira për t’u dëgjuar, kanë shkruar mediumet spanjolle të mërkurën.
Një grup i tifozëve të Barcelonës të mbledhur në qendër të Sevillas kanë kënduar së bashku “Vinicius, vdis!”, para finales së Kupës së Mbretit.
🗣️ Cánticos de parte de la afición del @FCBarcelona contra @ViniJr en las calles de Sevilla
🗯️ "¡VINICIUS, MUÉRETE!"
⛔️ Gravísimo e inadmisible en la previa de lo que tendría que ser la fiesta de la #CopaDelRey pic.twitter.com/RoHfh4Ifju
Gjashtë lojtarë të Barcelonës mund ta përsërisin suksesin
Vetëm gjashtë lojtarë të Barcelonës kanë mbetur nga skuadra që e fitoi Kupën e Mbretit 2021.
Ata mund ta përsërisin suksesin sonte në mbrëmje.
Ter Stegen, Inaki Pena, Ronald Araujo, Pedri, Ansu Fati dhe Frenkie de Jong, e kishin ngritur trofeun, dhe tani kanë tjetër rast.
Tensione para “El Clasicos”, arrestohen pesë tifozë
Kanë mbetur edhe pak orë pra fillimit të finales së Kupës së Mbretit ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit. Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë.
Por para fillimit të ndeshjes ka pasur një përleshje mes të dyja tifozërive.
Mediume të ndryshme kanë raportuar se tre tifozë të Barçës dhe dy tifozë të Realit janë arrestuar nga policia spanjolle.
Çfarë rekordi mund të barazojë Modriq?
Nëse luan, Luka Modriq i Real Madridit do ta barazojë rekordin e Fernando Hierros, Raul Gonzalezit dhe Iker Casillasit, si lojtari i dhjetë në histori që ka luajtur më së shumti “El Clasico”.
Modriq ka luajtur përballë Barcelonës në 38 ndeshje, shtatë prej të cilave në Kupën e Mbretit, ku i ka dy fitore, dy barazime e dy humbje.
Barcelona për të është kundërshtarja ndaj së cilës ka më së shumti paraqitje.
Si kanë përfunduar 16 “El Clasicot” e fundit
Real Madridi dhe Barcelona kanë 16 ndeshje rresht në “El Clasico” në të gjitha garat, ku njëra apo tjetra skuadër ka shënuar fitore, ka shkruar mediumi spanjoll “AS” të shtunën mbrëma.
Dhjetë fitore i ka Real Madridi ndërsa gjashtë të tjera, Barcelona.
Ecuria më e gjatë e ndeshjeve që kanë përfunduar pa barazim, ka qenë 58 vjet më parë. Skuadrat kishin 17 ndeshje të njëpasnjëshme pa barazuar, prej vitit 1960 deri në vitin 1967.
Në atë ecuri, 11 fitore kishte Real Madridi dhe gjashtë Barcelona.
Real Madridi prin në këtë statistikë
Real Madridi në këtë edicion të Kupës së Mbretit ka pasur më së shumti tentime në drejtim të portave kundërshtare, 155 gjithsej. 61 prej atyre gjuajtjeve kanë përfunduar në kornizën e portës.
Madrilenët janë po ashtu skuadra që ka krijuar më së shumti raste të pastra për gol, 30 në total.
Këto të fundit janë statistikat më të mira në një sezon të Kupës së Mbretit, qëkur “Opta” ka nisur me mbledhje të statistikave të kësaj gare nga edicioni 2013/14.
Sa ndeshje të “El Clasicos” janë zhvilluar deri tani?
Finalja e Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit nis në orën 22:00. Ky ballafaqim do të luhet në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas.
Barcelona dhe Real Madridi do ta zhvillojnë ndeshjen e 260-të në të gjitha garat.
Është ballafaqimi më i shpeshtë në historinë e futbollit të Spanjës.
Barcelona ka më së shumti trofe të Kupës së Mbretit, 31 gjithsej. Real Madridi e ka fituar trofeun e Kupës së Mbretit në 20 raste.
Në 18 raste, fituesi i turneut e ka fituar më pas edhe La Ligan.
“Blaugrana” i ka fituar tri finale, ndërsa katër herë është mposhtur nga “Los Blancos” nga shtatë takimet e kaluara në finale të garës.