Drita është shokuar në minutën e 100-të të ndeshjes në udhëtim te Dukagjini.
Granit Elezaj në minutën e 10-të të kohës shtesë shënoi për 1:1.
Me golin e Elezajt u mbyll edhe i gjithë takimi.
Drita ishte duke udhëhequr deri në minutat e fundit të ndeshjes me autogolin e Vitor Hugos.
Por nuk e ka ruajtur epërsinë e krijuar, dhe e mori vetëm një pikë nga ky ballafaqim.
Me vetëm një pikë të fituar nga ky udhëtim, Drita humb hapin për titull kampioni me Ballkanin dhe Llapin.
Drita mbetet në pozitën e tretë me 59 pikë, dy më pak se Llapi i vendit të dytë dhe katër më pak se Ballkani lider.
Dukagjini me 39 pikë zë vendin e gjashtë në tabelë.
Në kuadër të xhiros së 32-të, Dukagjini udhëton te Ballkani ndërsa Drita e pret Fushë Kosovën.
Llapi fiton me golat e Hysenit
Muhamet Hyseni ka shkëlqyer për Llapin të dielën në stadiumin e Ramiz Sadikut në Prishtinë.
Llapi e mposhti Prishtinën me rezultatin 2:0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 31-të të Superligës së Kosovës në futboll. Të dy golat i shënoi sulmuesi Hyseni.
Ai realizoi për 1:0 në minutën e 13-të dhe për 2:0 në minutën e 81-të. Të dy golat u konfirmuan pas rishikimit të VAR-it.
Me fitore Llapi vazhdon garën për titull të kampionit. I ka 61 pikë në vendin e dytë, dy më pak se lideri Ballkani.
Prishtina renditet e pesta me 43 pikë.
Ballkani fiton dhe mbetet lider
Kampioni i dy edicioneve të fundit në elitën e futbollit të Kosovës, Ballkani, ka fituar të dielën në udhëtim te Gjilani dhe mbetet në vendin e parë në Superligë.
Ballkani fitoi 2:0 në ndeshjen që u zhvillua në terrenin me bar sintetik në Gjilan, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë.
Nazmi Gripshi në minutën e 49-të dhe Lumbardh Dellova në minutën e 81-të, i shënuan golat e fitores për skuadrën që drejtohet nga trajneri Ilir Daja.
Ballkani lider ka 63 pikë, dy më shumë se Llapi e Drita.
Gjilani është i shtati me 34 pikë, aq sa ka edhe Feronikeli 74 në vendin e tetë, përkatësisht atë që dërgon në barazh.
Në xhiron e 32-të, Ballkani luan në shtëpi kundër Dukagjinit, teksa Gjilani udhëton te Malisheva.
Edhe një tjetër gol në Gjilan
Ballkani është shumë afër që të marrë pikët e plota pasi e ka dyfishuar epërsinë me Lumbardh Dellovën.
Qendërmbrojtësi i suharekasve mposhti portierin e Gjilanit, Aridon Bllaca, me gjuajtje të saktë nga zona në minutën e 81-të.
Zhbllokohet sfida në Gjilan
Nazmi Gripshi në minutën e 49-të e ka kaluar në epërsi Ballkanin në udhëtim te Gjilain.
Gripshi, i cili e realizoi golin e 14-të të edicionit aktual, shënoi me gjuajtje të saktë nga zona.
Gjilani dhe Ballkani kanë barazuar në pjesën e parë pa gola.
Ndeshja e xhiros së 31-të e elitës së futbollit kosovar po luhet në terrenin me bar sintetik në Gjilan, ndërsa kanë munguar rastet në 45 minutat e para.
Drita ndërkohë është duke fituar në udhëtim te Dukagjini në stadiumin “18 Qershori” në Klinë me rezultatin 1:0.
Me rezultatin 1:0 po udhëheqë edhe Llapi në udhëtim te Prishtina.
Ndeshja Prishtina – Llapi po luhet në stadiumin e Ramiz Sadikut.
Drita në epërsi në Klinë
Drita ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Dukagjinit në Klinë.
Lojtari i Dukagjinit, Vitor Hugo, realizoi autogol në minutën e 36-të.
Llapi në epërsi ndaj Prishtinës
Llapi ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Prishtinës në ndeshjen në stadiumin e “Ramiz Sadikut”.
Muhamet Hyseni shënoi gol të bukur në minutën e 13-të.
Ndeshja i takon xhiros së 31-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Po zhvillohen edhe ndeshjet Dukagjini – Drita e Gjilani – Ballkani.